Sot mbushet gjysmëshekulli për ish-mbrojtësin kampion të Vllaznisë, Luan Zmijani

Publikuar me datë:

Kur përmend mbiemrin Zmijani në futbollin shkodran e shqiptar, kuptohet që pikësëpari ndalesh tek Sadetini, ish-mbrojtësi dhe kapiteni i Vllaznisë së viteve ’50-’60. Më pas Hyseni, për atë karrierë të shkëlqyer brenda dhe jashtë vendit, e veçanërisht si një element shumë i spikatur edhe i kombëtares shqiptare.

Ndoshta jo në të njëjtin rang, por ka lënë gjurmë me kontributin e tij fillimisht si sportist dhe më pas edhe si trajner, edhe Luani. Po ndalemi pikërisht sot tek ai sepse kjo ditë është e veçantë për të. Luan Zmijani feston sot 50 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast në emër të redaksisë së Gazeta “SHKODRA SPORT” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Luani ka lindur në Shkodër më 19 qershor 1976 dhe duke qenë pjesë e kësaj familje të angazhuar me sportin, zgjedh edhe ai të merret me futbollin. Luan me ekipet e moshave të Vllaznisë, ndërsa në vitin 1994 do të kalonte tek ekipi i parë. Gradualisht do të fitonte vendin e titullarit dhe në vitin 1998 kur kuqeblutë u shpallën kampionë, ai është një pjesë e rëndësishme e atij suksesi.

Duke luajtur në rolin e mbrojtësit të djathtë, do të bëhej i padiskutueshëm në fushë dhe si rrjedhojë do të kontribuonte edhe tek titulli kampion i vitit 2001 me Vllazninë. Më pas do të luante për një sezon me Partizanin e më pas me Besëlidhjen për t’u rikthyer sërish tek Vllaznia, ndërkohë që karrierën do ta mbyllte tek Egnatia.

Luan Zmijani ka luajtur rregullisht me ekipet kombëtare të moshave dhe madje ka edhe 2 ndeshje me ekipin e të rriturve, pikërisht në vitin 2002 kur trajner ishte Sulejmani Demollari duke luajtur ndaj Finlandës dhe Bahrein në të cilat luan nga 90 minuta si titullar.

Pas mbylljes së karrierës si futbollist, ka nisur atë të trajnimit duke qenë për shumë vite trajner moshash tek Akademia Vllaznia me të cilën nuk i kanë munguar edhe sukseset e shumta, kryesisht me ekipin U19 të cilin e shpalli kampion, por për herë të parë përfaqësoi Shqipërinë edhe në “UEFA Youth League”.

Si trajner ka marrë shumë vlerësime pozitive, për rregullin e disiplinën në punën e tij dhe kjo bëri që atij t’i besohej edhe drejtimi i ekipit të parë të Vllaznisë nga marsi i vitit 2015 deri në shtatorin e atij viti.

Ndërkohë prej pak kohësh ai për momentin është shkëputur nga trajnimi sepse bashkë me familjen është spostuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta vijuar atje tashmë jetën e tij, por me siguri jo larg futbollit.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

Gjergj Kola

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related