Një skandal i përmasave të mëdha është duke u zbuluar pas hetimeve të fundit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), e cila ka zbarkuar në zyrat e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe në zyrën urbanistike të Bashkisë së Tiranës. Referuar të dhënave të diskutuara gjatë një intervistë në “Kafe Shqeto” në Syri tv nga gazetari i kronikës Elton Qyno, në thelb të këtij operacioni qëndrojnë përgjimet e ardhura nga autoritetet belge dhe franceze përmes aplikacionit SKY ECC.
Nga detajet e bëra publike, zbulohet se ashtuquajturit "investitorë strategjikë" në fushën e ndërtimit në Shqipëri nuk janë korporata të huaja, por figura të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës. Këta individë, pasi kanë grumbulluar shuma marramendëse parash nga aktivitetet e paligjshme dhe e kanë pasur të pamundur t’i pastrojnë ato në shtetet evropiane, i kanë orientuar fondet drejt betonit dhe kullave në Shqipëri.
Skema e përdorur ka qenë e mirëmenduar. Për të fshehur origjinën e parave dhe investitorët e vërtetë, trafikantët janë fshehur pas emrave dhe brendeve të njohura ndërkombëtare të arkitekturës. Me porosi që të mos përdoren inxhinierë e arkitektë lokalë, por emra të mëdhenj nga jashtë, ata kanë arritur të kalojnë me sukses filtrat e institucioneve shqiptare për marrjen e lejeve të ndërtimit. Këto miratime kanë kërkuar medoemos dritën jeshile të niveleve më të larta qeverisëse, duke qenë se në këtë sistem çdo procedurë kalon nga zyrat më të rëndësishme urbanistike, deri tek institucionet që kontrollohen direkt nga qeveria qendrore.
Aktualisht, SPAK është duke kryer një "hetim administrativ", duke përputhur lejet e ndërtimit të lëshuara nga institucionet shqiptare me bisedat e zbardhura, mesazhet dhe fotografitë që trafikantët u kanë dërguar njëri-tjetrit përmes SKY ECC. Provat e ardhura nga jashtë besohet se janë kaq të detajuara, saqë praktikisht e kanë zbardhur të plotë gjurmën e pastrimit të parave.
Flavio Qarri: Rikthehemi në transmetim të drejtpërdrejtë. Nëse është kjo dilema kryesore që kanë shqiptarët sot, si duhet t’i qasemi SPAK-ut, veprimet e saj, mund të na ndihmojnë drejt përgjigjes. Dhe meqë jemi te përgjigjet për këtë çështje, Elton Qyno ka shumë përgjigje për këtë temë. A është momenti për të bërë ndoshta si kryeministri që ka hapur shampanjë shpesh për procese imagjinare anëtarësimi, edhe ne duhet të hapim shampanjë për procese imagjinare hetimi, apo vërtet SPAK është në oborrin e kryeministrit?
Elton Qyno: Faktikisht kryeministri e ka propagandën e vet për të hapur shampanja, birra apo qoftë dhe verërat e shtrenjta…
Flavio Qarri: I pëlqejnë të pijë verërat e shtrenjta.
Elton Qyno: …sepse vetë puna ia kërkon që të mbajë shqiptarët dhe të mbajë veten me shpresa, me gajret për anëtarësim në BE apo qoftë dhe për samitin e madh të NATO-s këtu në Shqipëri. Por që historikisht Shqipëria ka pasur vendimmarrje të posaçme dhe mjaft të vlefshme për futjen e Shqipërisë në NATO, në nënshkrimin e marrëveshjes së asocim-stabilizimit. Nuk ishte as fans, as hapte verë, as hapte uiski, as këto shashkat e tjera.
Ka pasur dhe një shprehje tjetër ai që njerëzit kërkojnë punë, ne i themi ju bëmë rrugë. Sepse në kohën e qeverisjes së Berishës thuajse të gjitha rrugët nëpër fshatra u asfaltuan dhe u rehabilituan, domethënë nga rrugë me pluhur dhe me baltë e me llucë, ku fshatrat që kishin kalldrëmin e kishin luks, u shtruan me trase asfalti. Sigurisht që doli dhe ky varianti tjetër që ne kërkojmë punë, ne kërkojmë bukë, ne i themi kemi bërë, ju kemi bërë rrugët. Prandaj them që kryeministri vendit ka kaluar, ka arritur në atë delirin që patjetër duhet pompozituar këto arritjet imagjinare…
Flavio Qarri: Duhet festuar diçka.
Elton Qyno: Duhet festuar diçka. Edhe forma më e mirë e festimit të tij është pikërisht te rrjetet sociale që për hir të së vërtetës në kohën e qeverisjes së Berishës apo qoftë dhe të Nanos nuk ishin kaq masive dhe kaq të përhapura se…
Flavio Qarri: S’ekzistonin, madje pothuajse nuk ekzistonin.
Elton Qyno: Ekzistonin por nuk ishin kaq të përhapura dhe nuk kishin kaq trend dhe kaq rëndësi sociale, ndërkohë që sot edhe një status kot i kryeministrit bëhet lajm jo vetëm kombëtar, por dhe ndërkombëtar. Për t’u rikthyer tashmë te hetimi. Sigurisht që ka pasur disa kontrolle, kontrollet kanë filluar që në fillim të muajit qershor të vitit 2024. Kanë shkuar edhe pak ditë më përpara tek AZHT-ja dhe institucione të tjera, siç është zyra urbanistike e Bashkisë Tiranës. Dhe padyshim janë në kuadër të veprimeve hetimore që po kryen Prokuroria e Posaçme SPAK lidhur me tre dosje penale që janë regjistruar në këtë prokurori dhe që kryesisht bëhet fjalë për hetime që bazën themelore të provave, që siç e konsiderojnë ata, janë pikërisht bisedat në aplikacionin Sky.
Flavio Qarri: Domethënë, që ta bëjmë pak më të thjeshtë për publikun. Belgët kanë përgjuar narkotrafikantët. Narkotrafikantët na rezulton që qenkan investitorë në ndërtim në Shqipëri, përderisa shkon në urbanistikë. Atëherë…
Elton Qyno: Aty do dilja, sepse më ndërpreve, që pikërisht në këto biseda të përgjuara nga belgët dhe francezët dhe më pas të sjella në Shqipëri, janë konstatuar që investitorët strategjikë, në thonjëza, në Shqipëri që vijnë dhe investojnë janë pikërisht trafikantët e drogës. Dhe që edhe pse shpeshherë merret një emër, një brand botëror apo brand ndërkombëtar i ndërtimit apo i arkitekturës, lidhur me investimet këtu, në fakt ky brand është thjesht maska, ndërkohë që investitorët realë, strategjikë, janë pikërisht shqiptarë, por që të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës. Pra, ligji për investimet strategjike nuk solli investitorë realisht të huaj dhe që i futi në Shqipëri…
Flavio Qarri: Por ishte një artificë për të pastruar paratë e narkotrafikut?
Elton Qyno: Ishte një artificë për të pastruar jo vetëm paratë, por që për të sjellë këta trafikantë droge, të dhjamosur mirë me para të fituara nga trafiku i drogës, dhe që më pas në pamundësi për t’i investuar në Europë apo në vende të tjera, këta individë arritën që përmes ligjit të investimeve strategjike, këto para t’i shkrijnë pikërisht në ndërtime. Edhe, që të bësh një ndërtim, për hir të së vërtetës, të paktën Qeveria Rama i ka shtrënguar ato masat e ndërtimit, pra nuk mund të bësh më ndërtime pa leje…
Flavio Qarri: Apo pa e ditur Rama.
Elton Qyno: Apo pa e ditur Rama, nëse nuk fillon dhe bën praktikën e procedurës në zyrën urbanistike dhe te AZHT-ja. Dhe aty do të dilja, aq më tepër që u vu edhe kusht që të mos merreni me arkitektë dhe inxhinierë shqiptarë, por të merreni me arkitektë më vizionarë, më largpamës, me arkitektë ndërkombëtarë, duke krijuar ato bazat e themeleve dhe bazën e arkitekturës së pallatit dhe më pas të çuar pikërisht në këto institucione shqiptare dhe që sigurisht që miratoheshin. Prandaj dhe SPAK-u ka shkuar në këtë pikë tek AZHT-ja dhe te zyrat urbanistike, vetëm për të marrë këto lejet dhe për t’i krahasuar pikërisht me bisedat që i kanë ardhur të gatshme nga prokuroritë franceze dhe prokuroritë belge. Dhe SPAK-u sot nuk është se po bën një hetim proaktiv, SPAK-u sot po bën një hetim administrativ, ku shikon bisedat, ulet në një zyrë atje dhe lexon bisedat…
Flavio Qarri: Përputh të dhënat apo jo?
Elton Qyno: Lexon bisedat e dy trafikantëve apo pesë zyrtarëve, dhe më pas, për hir të së vërtetës këto biseda jo vetëm që shoqërohen me mesazhe, por shoqërohen edhe me screenshote fotografike dhe që thuajse e ke më të lehtë për ta identifikuar, e kanë bërë vetë hetimin ata domethënë. Dhe gjurmën e ndërtimit, e ke dhe më të lehtë për të identifikuar edhe dokumentet, sepse kanë dërguar dhe dokumente, dhe ti e ke fare të thjeshtë të dërgosh një dokument pastaj në AZHT, të kërkosh dosjen, apo qoftë dhe të vesh ta marrësh vetë fizikisht për ta bërë krahasimin me bisedat që ke, që të kanë ardhur nga jashtë, dhe më pas me konkludimin e vendimmarrjes që kanë marrë institucionet.
Flavio Qarri: Do të thotë që e kanë bërë shumë trashë, shumë hapur dhe sheshit.
Elton Qyno: Sigurisht që e kanë bërë shumë trashë, sepse nëse bëheshin trashë veprime kriminale si trafiku i drogës dhe veprime kriminale si sigurimi i kushteve për të kryer vrasje apo qoftë dhe vrasjet, patjetër që ata kur nuk ruheshin nga këto akte kriminale të rënda, mos kujto se do ruheshin për një leje ndërtimi, që ata do të merrnin apo një qëllimi investimi. Dhe pjesën më të madhe, kryesisht, grupet kriminale kanë pasur tre zona, si të thuash, të kuqe, apo dëshira për të investuar, që kanë qenë Tirana e para, zona bregdetare e Durrësit, Golemit e dytë dhe pastaj pjesa e jugut që nga Vlora dhe deri në pjesën fundore të Ksamilit.

