Ardit Çylybyli: “Rama, njeriu që urren veriun, e përjashton Shkodrën edhe nga harta e universiteteve!”

Publikuar me datë:

Kreu i Partisë Demokratike në Shkodër, Ardit Çylybyli, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për zhvillimin e arsimit të lartë dhe ndërtimin e universiteteve të reja në disa qytete të vendit.

Përmes një reagimi publik, Çylybyli akuzon qeverinë se po e lë Shkodrën jashtë projekteve për zhvillimin e arsimit të lartë, ndërsa përmend Fierin, Tiranën, Vlorën dhe Korçën si qytete të përfshira në planet e prezantuara nga kryeministri.

Statusi i plote:

EDI RAMA, NJERIU QË URREN VERIUN, E PËRJASHTON SHKODRËN EDHE NGA HARTA E UNIVERSITETEVE!

Edi Rama foli këtë të dielë për një “epokë të re” të arsimit, me universitete të reja në Fier, Tiranë, Vlorë dhe Korçë. Por në hartën e njeriut që ka marrë peng të ardhmen e Shqipërisë prej 13 vitesh, mungon Shkodra, metropoli i veriut shqiptar.

Mungon Shkodra, një nga djepet historike të arsimit, kulturës dhe dijes shqiptare.

Kjo nuk është harresë. Është një diskriminim i pastër politik, që ka marrë jetë prej vitit 2013 kur përmes votave të krimit, ai erdhi në pushtet.

Pse Fier, Tiranë, Vlorë dhe Korçë po, ndërsa Shkodër jo?

Cili është kriteri akademik?

Cili është studimi?

Cili është plani i qeverisë për arsimin e lartë në Shkodër?

Apo kriteri është thjesht interesi politik i Edi Ramës?

Shkodra nuk është pronë e Edi Ramës. Nuk është qytet i dorës së dytë. Nuk mund të flitet për inteligjencë artificiale, teknologji dhe zhvillim, ndërsa lihet jashtë një qytet me një trashëgimi të jashtëzakonshme në arsimin dhe kulturën shqiptare. Shkodra ka nevojë për universitet modern, investim në dije, teknologji dhe mundësi për të rinjtë. Ka të drejtë për zhvillim. Ka të drejtë për të ardhmen. Si mundet një qeveri të përjashtojë një qytet, një identitet shqiptar, kur kanë qënë të vazhdueshme kërkesat nga pedagogët, studentët dhe vetë drejtuesit e universitetit “Luigj Gurakuqi”, për një kampus universitar të ri, për një investim që do t’i shërbente të ardhmes së këtij rajoni. Mjaftojnë rezultatet e përvitshme të maturantëve dhe studentëve të Shkodrës që janë ekselentët e Shqipërisë, për të dëshmuar se askush nuk mund t’ja zbehë këtij qyteti, lidhjen me arsimin dhe arritjet vit pas viti.

Edi Rama mund ta përjashtojë Shkodrën nga lista e tij, sepse e ka këtë urrejtje patologjike për Shkodrën. Por nuk do ta lejojmë ta përjashtojë Shkodrën nga e ardhmja e Shqipërisë. Shkodra ka qenë dhe do të mbetet djepi i arsimit shqiptar. Dhe Shkodra do të jetë pjesë e Shqipërisë së dijes, zhvillimit dhe ndryshimit që do të ndërtojmë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related