Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në një spital komunal në Brazil, pasi kryebashkiaku ndërmori një inspektim të papritur për të verifikuar shqetësimet e pacientëve lidhur me radhët e gjata dhe mungesën e shërbimit mjekësor.
Kryetari i bashkisë së qytetit Barreiros, Carlinhos da Pendreira, në shtetin Pernambuco, mbërriti në ambientet e spitalit të mërkurën në mbrëmje, më 4 nëntor. Gjatë kontrollit, ai zbuloi dy mjekë, një mashkull dhe një femër, në dhomën e pushimit për stafin, teksa pacientët qëndronin në pritje për ndihmë shëndetësore.
Sipas kryebashkiakut, ai i akuzoi mjekët se “po kryenin marrëdhënie seksuale gjatë orarit të punës”. Ai theksoi gjithashtu se nga tre mjekët që do të duhej të ishin në shërbim, vetëm një prej tyre po priste dhe po vizitonte pacientët.
Përballja midis kryebashkiakut dhe stafit u regjistrua dhe pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të shumta. Megjithatë, videoja nuk jep prova se mjekët ishin përfshirë në marrëdhënie seksuale dhe asnjë prej tyre nuk ka reaguar publikisht për këtë incident.
Pas ngjarjes dhe debatit që u krijua, bashkia njoftoi se ka ndërprerë kontratën me organizatën administruese të spitalit, Associação Beneficente João Paulo II. Autoritetet vendore bënë të ditur se, përkohësisht, do të marrin vetë drejtimin e funksionimit të institucionit shëndetësor.

