Shuhen vatrat e zjarrit në qarkun e Lezhës

Publikuar me datë:

Pas rreth dy javësh betejë me flakët, situata e zjarreve në Qarkun e Lezhës është normalizuar. Operacioni ka përfunduar pasditen e së hënës, me shuarjen e vatrës së fundit në fshatin Tene të Mirditës.Përgjatë këtyre dy javëve, strukturat e emergjencave civile janë përballur me një situatë të vështirë, me dhjetëra vatra zjarri të shfaqura në zona të ndryshme të qarkut, në territorin e Mirditës, por edhe në Lezhë e Kurbin.Në operacionet për shuarjen e flakëve u angazhua një numër i madh forcash dhe mjetesh. Përveç shërbimeve zjarrfikëse të bashkive, në terren u angazhuan edhe forca të Forcave të Armatosura, ndërsa në disa raste ndërhyrja u krye edhe nga ajri, përmes helikopterëve, për shkak të terrenit të vështirë dhe përhapjes së shpejtë të flakëve.

Një nga zonat më problematike gjatë kësaj periudhe ishte Mirdita, ku zjarret rrezikuan disa fshatra dhe banesa. Në disa raste u desh edhe evakuimi i familjeve, ndërsa terreni i thyer malor e vështirësoi ndjeshëm ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse.Tashmë që të gjitha vatrat janë shuar dhe pritet të nisë një bilanc më i plotë i pasojave. Deri tani nuk ka një vlerësim përfundimtar të dëmeve të shkaktuara nga zjarret, pasi strukturat përkatëse po vijojnë verifikimet në terren për të përcaktuar sipërfaqet e djegura dhe dëmet në pyje, kullota, banesa apo prona.

Nga hetimet e deritanishme, një pjesë e konsiderueshme e rasteve dyshohet se janë shkaktuar qëllimisht ose si pasojë e pakujdesisë. Gjatë muajit gusht, në Mirditë janë arrestuar edhe dy persona, të dyshuar për zjarrvënie.Me shuarjen e vatrës së fundit në Tene, pas rreth dy javësh përballje me zjarret, operacionet intensive në terren kanë përfunduar. Megjithatë, autoritetet vijojnë monitorimin e zonave të prekura, pasi temperaturat e larta dhe kushtet e favorshme për përhapjen e flakëve mbeten një rrezik për riaktivizimin e vatrave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related