“Mos më akuzo kot për terrorizëm, nuk më përkul dot as në SPAÇ”/ Veliaj i përgjigjet Ramës nga qelia: Rritu, me ty tallen edhe gardianët e burgut

Ndërmjet kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe Kryeministrit Edi Rama, tensionet kanë marrë përmasa të reja, me akuza publike për ushtrim presioni politik, kërcënime me procedime penale dhe insinuata për përfshirje në protestat e studentëve.

Veliaj, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim në Fier, ka shpërndarë përgjigjet që i ka dhënë ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë një takimi në institucionin e vuajtjes së dënimit. Sipas kryebashkiakut, Rama ka përdorur transferimin e tij në burg dhe kërcënimet me pasoja penale për ta detyruar të largohet nga detyra si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Ai e përshkruan ministrin Gogu si ndërmjetësin e mesazheve të kryeministrit dhe thekson se ndarja prej familjes dhe izolimi nuk do ta detyrojnë të heqë dorë nga posti.

“E kuptoj që je veç lajmësi, jo autori – s’të vë faj ty, mbetesh miku im, pavarësisht rolit. Turp që KM merret vetë me internimet. Nëse R. mendon se duke më larguar dhe izoluar nga familja bëhet i madh – he belittles himself – dhe gardianët në burgje e tallin. Bëtë goditje të madhe, për të dalë kaq të vegjël, pity”, shkruan Veliaj.

Veliaj shkon edhe më tej, duke e akuzuar Ramën për ndërhyrje në procesin e tij penal, me pretendime se Kryeministri diskuton me prokurorët për numrin e akuzave dhe dënimin e mundshëm me vite burg.

Kryebashkiaku bën të ditur se nuk do të pranojë presion, pavarësisht çdo lëvizjeje që mund të bëhet ndaj tij, përfshirë transferimin në institucione të tjera paraburgimi.

“Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem. Çfarë ‘nderi’ duhet t’i njoh KM? Që negocion me prokurorët për sa akuza do kem e sa vite do marr? Ç’a dmth hera e fundit si baba? Kërcënim? Kjo e prok që thua ‘duan të më hanë të gjallë, e më duan të vdekur’ është turp për ju që bëni këto muhabete”, deklaron ai.

Në qendër të reagimit të tij qëndrojnë edhe protestat studentore në Tiranë dhe qytete të tjera, që vijojnë prej muajsh.

Veliaj e mohon në mënyrë kategorike çdo përfshirje në organizimin apo financimin e protestave, madje pohon se gjatë bisedave me të janë ngritur edhe akuza për terrorizëm dhe tentativa për rrëzim të rendit kushtetues. Ai i cilëson këto pretendime si absurditete, duke iu referuar statusit të tij si i paraburgosur, pa mundësi të ndikojë në aktivitete protestuese.

“Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve – këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandis shteti, gjeti armikun e brendshëm. Kur ruaja unë Tiranën nga dhuna 54 javë digjej bashkia s’ju akuzoja ju dhe pse digjej BT me molotovë e s’lëvizi gishtin kush. Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu? A jeni në vete apo e thoni të qetësohet KM? I kuptoni fjalët që thoni? Ju paska thënë dhe terrorizëm! HAHA”, shkruan Veliaj.

Veliaj nënvizon se nuk mund të marrë pjesë në veprime që synojnë dëmtimin e institucioneve të cilat i ka drejtuar në të kaluarën. Duke komentuar për përbërjen aktuale të qeverisë, ai thekson mungesën e eksperiencës opozitare mes ministrave, duke sjellë në vëmendje historinë e përballjeve politike të Partisë Socialiste.

Kryebashkiaku kujton se ka qenë i pranishëm në të gjitha protestat madhore të socialistëve, përfshirë protestat e 21 janarit, grevën e urisë dhe periudhën e zgjedhjeve të vitit 2011, kohë kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës.

“Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. PS jo e jo, po flas Tiranën. Jam marrë me çdo semafor, pllakë në shesh, sinjalistikë etj. më dhemb më shumë se të gjithë ju bashkia. Po ju s’keni nga ta dini, keni një qeveri ku asnjë ministër s’ka bërë një ditë opozitë. Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në ‘28 janar’ (e di KM sh mirë), e verën 2011 me R e lanë të gjithë vetëm”, deklaron ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe