Deputeti i Partisë Demokratike për Shkodrën, Kliti Hoti, ka reaguar ashpër ndaj një videoje të publikuar nga përfaqësues të mazhorancës, ku sipas tij është fyer Shqipëria dhe është paraqitur emigrimi si histori suksesi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoti shprehet se është e papranueshme që përfaqësues të pushtetit të shpërndajnë materiale ku thuhet se “Shqipërisë i vinte era m*t dhe bajga”, duke e cilësuar këtë si mungesë respekti ndaj vendit.
Deputeti demokrat akuzon qeverinë e kryeministrit Edi Rama se gjatë 13 viteve në pushtet ka ndërtuar një model që, sipas tij, ka detyruar qindra mijëra shqiptarë të largohen nga vendi.
“Si është e mundur ta shesësh largimin e qytetarëve të tu si histori suksesi? Sot përpiqeni t’i përdorni si dekor elektoral, sikur emigrimi të ishte medalje dhe jo aktakuzë”, shkruan Hoti.
Ai shton se propaganda e qeverisë synon të ndryshojë perceptimin e realitetit, duke e paraqitur eksodin si zhvillim dhe boshatisjen e vendit si krenari.
Sipas Hotit, diaspora nuk është produkt i suksesit të qeverisë, por prova më e qartë e dështimit të saj për të krijuar kushte që të rinjtë të ndërtojnë jetën në Shqipëri.
Në reagimin e tij, deputeti ndalet edhe te protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë, duke theksuar se shumë shqiptarë të diasporës janë kthyer në vend jo për të mbështetur qeverinë, por për të protestuar.
“Dashuria për atdheun nuk matet me videot që prodhon qeveria, por me guximin për t’i thënë të vërtetën”, përfundon Hoti në postimin e tij.

