Një shpërthim me lëndë të dyshuar plasëse është regjistruar gjatë natës në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, duke shkaktuar dëme materiale dhe panik te banorët e zonës.
Sipas informacionit paraprak nga policia, lënda plasëse ishte vendosur në derën e banesës së shtetasit Ylli Zalla. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëmtime në godinë, si dhe ka marrë flakë e është djegur plotësisht automjeti i parkuar pranë banesës, në pronësi të të njëjtit shtetas.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po vijon punën intensive për grumbullimin e provave, dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e kapjen e autorit apo autorëve të përfshirë.
Krujë/Informacion paraprak
Gjatë natës, në fshatin Zallë, Fushë-Krujë, në derën e banesës së shtetasit Y. Z., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse.
Si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale, si dhe ka marrë flakë dhe është djegur automjeti në pronësi të këtij shtetasi, i cili ishte i parkuar pranë banesës.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

