Shpërthimi tragjik në Greqi/ Tre të arrestuarit rezultojnë me rreth 80 përplasje me policinë, shqiptari i përfshirë në mbi 20 raste

Publikuar me datë:

Të tre personat e kapur për shpërthimin fatal në lagjen Plaka të Athinës, ku humbën jetën dy shtetas grekë dhe një shqiptar, rezulton se kishin një histori të gjatë aktivitetesh kriminale.

Autoritetet policore greke bëjnë të ditur se dy grekët dhe shqiptari i arrestuar kanë qenë të përfshirë në afërsisht 80 episode të ndryshme që kanë rënë në vëmendjen e policisë ndër vite.

Rezultatet e hetimeve tregojnë se njëri prej dy të arrestuarve grekë ka pasur aktivitetin më të gjatë kriminal, me rreth 45 raste të regjistruara nga viti 1985 deri më 2026, kryesisht të lidhura me vjedhje, grabitje dhe trafikim droge.

Ndërsa i arrestuari i dytë grek është evidentuar në 13 raste të tjera gjatë periudhës 2008-2026, gjithashtu për vepra të natyrës së vjedhjeve, grabitjeve dhe çështjeve të narkotikëve.

Për shqiptarët e ndaluar, autoritetet kanë zbuluar se ai është përfshirë në mbi 20 raste të tjera me organet e rendit, duke nisur nga viti 2019 e deri në 2026, ndër të cilat figurojnë vepra penale që lidhen me drogë, vjedhje, grabitje dhe përfitim nga produktet e veprës penale.

Pra, sipas të dhënave zyrtare, në total të tre të arrestuarit rezultojnë të kenë rreth 80 përfshirje të mëparshme në procedura apo kontrolle policore.

Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuza të rënda, përfshirë zjarrvënie me pasoja vdekje, shpërthim me pasoja të rënda, vrasje me dashje të mundshme si dhe dëmtime të rënda trupore, të kryera në bashkëpunim.

Të pandehurit janë thirrur të paraqiten në gjykatë të hënën, më 2 nëntor, në orën 12:00.

Çfarë treguan pamjet e kamerave të sigurisë në Plaka?

Pjesë të rëndësishme të hetimit janë pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat regjistruan tre individë që vepronin në mënyrë të dyshimtë pranë ndërtesës në rrugën Lysikratous, rreth pesë orë përpara shpërthimit.

Sipas hetuesve, të dyshuarit u kapën duke hyrë në shkallët e ndërtesës, ku qëndruan disa minuta, dhe më pas u larguan shpejt, duke mbajtur një segment tub bakri.

Ndërkohë, një raport i hartuar nga laboratori i Universitetit Teknik Kombëtar të Athinës saktëson se pika e rrjedhjes së gazit ka qenë brenda ndërtesës, pranë matësit në katin përdhes, dhe jo në ambientet e jashtme.

Aktualisht hetimet janë përqendruar te heqja e tubit të bakrit dhe lidhja që mund të ketë ky veprim me rrjedhjen e gazit dhe shpërthimin tragjik që shkaktoi tre viktima.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related