Në Shkodër, një prej qyteteve që ka njohur përndjekjen më të ashpër politike gjatë regjimit komunist, procesi i dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit vijon të hasë vonesa dhe problematika.
Sipas kryetarit të shoqatës vendore të ish-të përndjekurve politikë, Zenel Drangu, në Shkodër janë rreth 3,600 familje të pushkatuarish dhe ish-të burgosurish politikë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre ende nuk kanë përfituar këstin e tretë dhe të katërt të dëmshpërblimit, ndërsa prej rreth një viti është hapur edhe procedura për këstin e pestë.
Një nga pengesat kryesore mbetet plotësimi i dokumentacionit. Vështirësitë shtohen në rastet kur trashëgimtarët jetojnë jashtë vendit, pasi sigurimi i dokumenteve të nevojshme prej tyre mund të bllokojë procedurat edhe për pjesëtarët e tjerë të familjes që jetojnë në Shqipëri.
Për të shmangur këto pengesa, shoqata e ish-të përndjekurve politikë thotë se ka propozuar edhe ndryshime ligjore, me synim lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave.
Ish-të përndjekurit politikë në Shkodër kërkojnë që procesi i dëmshpërblimit të përfundojë sa më shpejt, duke e konsideruar atë jo vetëm një detyrim financiar të shtetit, por edhe një detyrim moral ndaj mijëra familjeve që vuajtën pasojat e përndjekjes gjatë regjimit komunist.

