Shkodra humb “Timin e librave” / Njeriun që e ktheu librarinë në një vend takimi me dijen

Publikuar me datë:

Sot, në pedonalen e Shkodrës mungon një fytyrë që për vite me radhë ishte bërë pjesë e saj.

Mungon buzëqeshja e tij, zëri i tij dhe ajo pyetja që shumëkush e ka dëgjuar, “çfarë libri po kërkon?”

Mes faqeve të librave, Shpëtim Bala, ose siç e njihnin të gjithë, “Timi i librave”, kishte krijuar prej vitesh një botë të tijën.

Një vend ku nuk shkoje thjesht për të blerë një libër, por për të takuar një njeri që e njihte letërsinë, e donte atë dhe dinte t’ua transmetonte këtë dashuri të tjerëve.

Sot ai nuk është më aty.

Në moshën 57-vjeçare, Timi është ndarë nga jeta, duke lënë pas një boshllëk që nuk matet me hapësirën e një vendi bosh në pedonale. Është një boshllëk që ndihet te njerëzit që e njohën, te lexuesit që morën prej tij një libër, por mbi të gjitha te një qytet që humbi një prej atyre personazheve që me kalimin e viteve bëhen pjesë e kujtesës së tij.

Në pedonalen e Shkodrës Timi ishte aty për të dhënë një këshillë, një emër autori, një histori ose thjesht për të shkëmbyer dy fjalë me një njeri që e kishte kthyer dashurinë për librin në mënyrë jetese.

Shpëtim Bala, i njohur nga të gjithë si “Timi i librave”, pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 57-vjeçare.

Për shumë vite, ai ishte një nga figurat më të njohura të pedonales së Shkodrës.

Mes librave, kopertinave, faqeve të reja por edhe të zverdhura nga koha, Timi ishte bërë pjesë e pandashme e qytetit.

Një fytyrë që shumë shkodranë e kanë takuar ndër vite dhe një zë që dinte të të sugjeronte pikërisht librin që ndoshta nuk e kishe menduar kurrë ta lexoje.

Ai ishte më shumë se një librashitës. Timi i njihte librat. I lexonte. I jetonte.

Mund të flisje me të për letërsinë shqiptare, për autorët e huaj, për një roman të sapodalë në treg apo për një libër që kishte vite që qëndronte në raft. Dhe pothuajse gjithmonë kishte një përgjigje.

Nuk kishte rëndësi nëse përballë kishte një fëmijë që kërkonte librin e parë, një të ri që po zbulonte letërsinë apo një të moshuar që kërkonte një autor të dashur të rinisë. Timi dinte të gjente fjalën e duhur, titullin e duhur dhe mbi të gjitha, mënyrën për ta bërë tjetrin ta donte librin.

Shumë fëmijë u rritën me librat që Timi u jepte, shumë të rinj me librat që dhuronin nga sugjerimet e Timit, gjetën dashurinë e jetës. Shumë studentë e kishin si “shpëtimtarin” e tyre kur ju duhej një libër.

Shumë biblioteka në qytet janë mbushur nga duart e tij. Shumë intelektualë kanë thelluar dijet, shumë arsimtarë e akademikë i janë falenderues Timit për veprat që ai gjente, i ruante dhe kishte gjithë bagazhin e nevojshëm për t’i adresuar tek personat e duhur.

Në atë dyqanin rrypinë të pedonales, Timi shiste libra por edhe dije, kuriozitet dhe dashuri për leximin.

I buzëqeshur, miqësor dhe dashamirës, të mikpriste me një qytetari dhe respekt që sot, në ditën e ndarjes së tij nga jeta, bëhen edhe më të dukshme.

Për vite me radhë, Shpëtim Bala ishte aty.

Në zemër të Shkodrës, mes librave që ndryshonin por me të njëjtën buzëqeshje.

Kaluan breza. Fëmijë që ndaluan dikur pranë librave të tij u rritën dhe u kthyen sërish. Disa prej tyre tashmë me fëmijët e tyre. Dhe Timi ishte aty, me një tjetër sugjerim, një tjetër autor, një tjetër histori për të treguar.

Kështu u bë i njohur për të gjithë si “Timi i librave”.

Një emër i thjeshtë, por që në Shkodër kishte marrë një kuptim shumë më të madh se profesioni.

Ai ishte një prej atyre njerëzve që në vendin ku punoi, u kthye në kujtesën e qytetit.

Sot, pedonalja e Shkodrës ka humbur një prej personazheve të saj më të dashur e të respektuar.

Timi u largua nga kjo botë duke lënë jo thjeshtë boshllëkun e një librashitësi pas banakut.

Është boshllëku i një dashamirësi të letërsisë, i një intelektuali, i një qytetari të denjë dhe mbi të gjitha i një njeriu me vlera, që për vite me radhë i dha qytetit diçka që nuk blihet me para, dashurinë për librin.

Ndoshta kujtimi më i bukur për të do të jetë pikërisht ai momenti kur dikush do të ndalet para librave në pedonale, do të kërkojë një titull dhe për një çast do të mendojë se “çfarë libri do të më sugjeronte Timi?”

Do të mbetet gjatë në kujtesën e qytetit si njeriu që mes librave që lexoi, librave që shiti dhe mijëra njerëzve të cilëve u rekomandoi një histori, një autor apo një faqe për të hapur.

Timi i dashur nuk është prej atyre që largohen duke u harruar. Të tillë personazhe mbeten përgjithmonë aty ku kanë lënë gjurmë.

Ditët do të kalojnë dhe në pedonale do të shiten sërish libra, do të shfletohen faqe dhe do të kërkohen autorë. Por aty do të mungojë njeriu që dinte t’i bënte të gjithë këta libra të flisnin.

Qyteti do të të kërkojë gjatë aty ku ishe gjithmonë, mes librave, mes njerëzve dhe mes atyre buzëqeshjeve që ti dije t’i dhuroje kaq lehtë.

North Press i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Bala, të afërmve dhe miqve për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

Lamtumirë, Timi i librave. Lamtumirë Shpëtim Bala!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Eksperti: Ja si politikanët shqiptarë bënë një gabim fatal me ngritjen e Gjykatës Speciale

Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Marlind Laçi, foli në lidhje...

“The Independent” përfshin Shqipërinë mes 10 destinacioneve

Shqipëria është përzgjedhur nga gazeta britanike “The Independent” si një nga 10 destinacionet evropiane të përshtatshme për turistët që kërkojnë të evitohen pritjet e gjata në kufi, të shkaktuara nga sistemi i ri i hyrje-daljeve në zonën Shengen (EES). Sipas gazetës, sistemi EES detyron udhëtarët të regjistrojnë të dhëna biometrike, përfshirë shenjat e gishtërinjve dhe […]

Kuba në errësirë, ndërprerje masive e energjisë

Miliona banorë në Kubë u përballën me mungesë të energjisë të premten, pasi vendi u godit nga një tjetër ndërprerje masive. Sipas ministrisë së energjisë, i gjithë rrjeti elektrik pësoi “shkëputje totale” duke shkaktuar ndërprerje të plotë në të gjithë territorin, raportoi BBC. Në mbrëmje, energjia filloi të kthehej në disa zona thelbësore. Kjo është […]