Sehad Lulanaj ka lënë detyrën e drejtorit të shkollës së mesme “25 Maji” në Tuz, duke paraqitur dorëheqje të parevokueshme. Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Lulanaj e ka motivuar vendimin me arsye personale dhe morale.
Dorëheqja e tij vjen pas një situate të tensionuar në shkollë, ku prej ditësh nxënësit kanë zhvilluar protesta lidhur me largimin nga puna të mësuesit të historisë, Mark Junçaj.
Në qendër të reagimeve ishte kërkesa për rikthimin e Junçajt në detyrë, por edhe ajo për largimin e drejtorit të shkollës.
Ndërkohë, pak orë përpara njoftimit për dorëheqjen e Lulanajt, drejtoria e shkollës kishte bërë me dije se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me profesorin Junçaj ishte shfuqizuar.
Megjithatë, protesta e nxënësve kishte vijuar gjatë dy ditëve të fundit, duke e mbajtur situatën të tensionuar në gjimnazin “25 Maji”.

