Një vatër zjarri është aktivizuar në malin e Shëngjinit, pranë aksit kryesor në lagjen Sake, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe bimësi të thatë.
Për shkak të temperaturave të larta dhe vegjetacionit të dendur, zjarri është përhapur me ritme të shpejta, duke vështirësuar ndërhyrjen në terren.
Në zonë ndodhen forcat zjarrfikëse, të mbështetura edhe nga strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Lezhë, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve dhe shmangien e përhapjes së tyre në zona të tjera.
Sipas informacioneve paraprake, situata mbetet nën monitorim dhe deri tani nuk raportohet rrezik për banesat apo për qarkullimin në rrugën kryesore, i cili vijon pa probleme.

