Një banor 69-vjeçar i Wisconsin, SHBA, zgjodhi një mënyrë të pazakontë për të shkuar për blerje: në vend të makinës, ai mbërriti në dyqan me helikopterin e tij personal.
Incidenti ndodhi të shtunën në orën 18:00, pranë supermarketit Cabela’s në qytetin Richfield. Policia shkoi aty pas një telefonate të një qytetari, i cili raportoi prezencën e një helikopteri në parkingun e dyqanit.
Zyra e Sherifit të Qarkut Washington bëri të ditur se piloti, me banim në Rosendale, shpjegoi se kishte zgjedhur të udhëtonte me ajër drejt dyqanit, pasi rruga me mjet tokësor ishte “shumë e gjatë”.
Rosendale ndodhet rreth 50 milje larg Richfield, një distancë që zakonisht mund të përshkohet me makinë për rreth një orë.
Autoritetet bënë të ditur se 69-vjeçari nuk u penalizua, pasi posedonte një licencë të vlefshme piloti, uli helikopterin në mënyrë të sigurt dhe respektoi protokollet e Administratës Federale të Aviacionit (FAA).
“Mënyrë origjinale” e quajti Zyra e Sherifit në një postim në rrjetet sociale këtë lloj pazari, duke shtuar me humor se piloti shmangu edhe trafikun, edhe semaforët pranë dyqanit.
Ngjarja u prit me kureshtje dhe habi nga banorët vendas, të cilët rrallë shohin një helikopter të ulet në parkingun e një dyqani për të bërë pazarin e përditshëm.

