Shantazhi ndaj Klodiana Lalës/ Fevziu: Ish-drejtuesja e SHISH shkeli ligjin dhe etikën

Publikuar me datë:

Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar pas komenteve të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, të drejtuara kundër gazetares Klodiana Lala gjatë raportimit të kësaj të fundit për paraqitjen e Hysenit pranë SPAK.

Fevziu, përmes një deklarate të tij, e cilëson këtë sjellje të Hysenit si jashtëzakonisht problematike, duke theksuar se ajo ngre shqetësime të forta si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë etik.

Sipas gazetarit, konflikti mes Klodiana Lalës dhe ish-drejtoreshës së SHISH vjen në kontekstin e raportimeve të fundit të gazetares, ku Lala ka adresuar akuza të rënda ndaj Hysenit, ndërkohë që kjo e fundit reagoi me një pretendim drejtuar gazetares.

Fevziu argumenton se, edhe nëse përballesh me akuza të rënda, përgjigja nuk duhet të jetë një kundërakuzë, veçanërisht kur në deklaratë përfshihen elementë që lidhen me veprimin e shërbimeve sekrete.

Ai shton një dilemë se çfarë ka shtyrë Hysenin të bëjë një deklaratë të tillë publike dhe nëse pretendimi i saj do të ishte i saktë, çfarë ndikimi do të kishte kjo në mënyrën e funksionimit të një shërbimi inteligjent.

Fevziu lidh deklaratën e Hysenit me raportimet e mëparshme të gazetares Klodiana Lala, e cila ka pohuar se ish-drejtoresha e SHISH ka përgjuar zyrtarë të rangut të lartë.

Ai shton se ndër personat e përgjuar mund të jetë edhe ish-ministri i Brendshëm dhe drejtuesi i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Reagimi i gazetarit Blendi Fevziu:

Sot, ish-shefja e Shërbimit Sekret Shqiptar, Vlora Hyseni, që ishte thirrur për t’u marrë në pyetje, kërcënoi në mënyrë të çuditshme gazetaren Klodiana Lala, ndërsa ishte duke hyrë brenda ambienteve të SPAK. Pyetjes mbi aktivitetin e saj kriminal, ajo iu përgjigj me një kundërpyetje: Klodi, si kalon ti në takimet me agjentët serbë në dhomat e hotel Rognerit. Padyshim që deklarata e saj nuk qëndron dhe për këtë janë shprehur shumë vetë, por pyetja ime e parë është: Përse e bëri këtë Vlora Hyseni?

Në radhë të parë, ajo ka bërë një skandal, duke shkelur dy herë ligjin. Në rast se kjo gjë do të ishte e vërtetë dhe shefja e SHISH-it ishte në dijeni, ajo ka dekonspiruar një operacion të fshehtë, në të cilin SHISH po ndjek një gazetare. Është një shkelje ligjore, përveç shkeljes së etikës. Por, padyshim që kjo nuk është e vërtetë.

Në rastin e dytë, pra në rast se e ka sajuar këtë gjë për t’u hakmarrë ndaj Klodiana Lalës, apo për të hërhequr vëmendjen nga lajmet e fokusuara tek ajo, është një gabim po kaq i rëndë dhe përbën sërish vepër penale.

Por përse Vlora Hyseni kërcënoi Klodiana Lalën?

Dy ditë më parë, Lala akuzoi Hysenin, mbi bazë dokumentesh që sipas saj i kishte konsultuar me materialet e SPAK-ut, se Hyseni ka përgjuar deputetë të rëndësishëm, duke përfshirë edhe ish-ministrin e Brendshëm dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

A e ka përgjuar SHISH Taulant Ballën për llogari të Ergys Agasit? Kjo është e vështirë të vërtetohet në këtë moment, por padyshim është një akuzë e rëndë e bërë nga gazetarja në drejtim të ish-shefes dhe akuza nuk mund të mbulohen kurrë me kundërakuza.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related