Komisioni Evropian ka rekomanduar Këshillit të BE-së të zhbllokojë 4.2 miliardë euro nga fondet e kohezionit të destinuara për Hungarinë, duke vlerësuar se qeveria e kryeministrit Péter Magyar ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar çështjet që lidhen me shtetin e së drejtës.
Po ashtu, Komisioni ka sugjeruar që Hungaria të rikthehet plotësisht në programet Erasmus dhe Horizon.
Për shkak të shqetësimeve mbi respektimin e parimeve të sundimit të ligjit, në vitin 2022 ishte pezulluar rreth 55 për qind e fondeve të kohezionit të dedikuara për Hungarinë.
Sipas Komisionit Evropian, masat korrigjuese të publikuara nga qeveria hungareze më 9 shtator dhe zbatimi i tyre kanë zgjidhur problematikat në aspekte si prokurimet publike, lufta kundër korrupsionit, menaxhimi i konflikteve të interesit dhe rritja e efektivitetit të ndjekjeve penale.
Në kuadër të këtyre reformave, Hungaria ka rritur kompetencat e Autoritetit për Integritetin, ka përmirësuar sistemin e deklarimit të pasurisë, si dhe ka avancuar transparencën e menaxhimit të konflikteve të interesit.
Janë forcuar gjithashtu kontrollet mbi përdorimin e fondeve të BE-së dhe është rritur transparenca në prokurimet publike. Një veprim tjetër domethënës është anëtarësimi i Hungarisë në Prokurorinë Publike Evropiane.
“Reformat japin rezultate konkrete”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

