Ish-deputeti Selami Jenishehri i është drejtuar publikisht sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Armando Brojës, me një propozim të pazakontë.
Jenishehri, i cili ka deklaruar edhe më herët se ka eksperiencë në fushën e futbollit, pretendon se ka krijuar një metodë të veçantë për stërvitjen teknike të futbollistëve. Sipas tij, kjo metodë vlerësohet nga ekspertë të futbollit si më efikase edhe se teknikat e publikuara nga FIFA.
“I dashur Armando Broja! Rasti është Mbreti i Fatit. Si ish-këshilltar i trajnerëve të ekipit kombëtar, kam nxjerrë një lloj stërvitjeje teknike që kompetenca të mëdha në rang botëror thonë se është më e mirë se më e mira që publikon FIFA”, shprehet Jenishehri.
Ai thotë se metodën e ka provuar edhe më parë, duke pretenduar se ajo është zhvilluar në kuadër të një kërkese nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Jenishehri rrëfen gjithashtu se ideja e tij është pritur me skepticizëm nga disa specialistë, të cilët, sipas tij, e kanë sfiduar që ta demonstrojë publikisht në emisione televizive.
Në mesazhin e tij, ish-depututi shkon edhe më tej, duke shprehur bindjen se Broja do të ishte zgjedhja e duhur për drejtimin e Kombëtares, në vend të trajnerit aktual Sylvinho.
“Duhet të ishe ti, e jo Sylvinjo trajner i Kombëtares”, shkruan ai.
Në përfundim, Jenishehri i kërkon Brojës të kontaktojë me të, duke i ofruar që metodën t’ia prezantojë fillimisht personalisht dhe më pas të vendosin së bashku nëse mund ta zhvillojnë më tej.
“Dua ta tregoj veç ty fillimisht e pastaj bashkë të vendosim ç’të bëjmë”, shprehet ai, duke publikuar edhe një numër telefoni për kontakt.

