Zjarri që ka përfshirë sipërfaqet pyjore në zonën e Fushë-Lajës, në Malin e Tërbunit në Pukë, vijon të jetë aktiv, ndërsa forcat në terren po punojnë për vënien nën kontroll dhe shuarjen e vatrave.
Prej disa ditësh në operacion janë angazhuar efektivë të MZSH-së së Pukës, shërbimi pyjor, punonjës të strukturave vendore, banorë dhe vullnetarë të zonës, si dhe forcat zjarrfikëse të Fushë-Arrëzit.
Ndërhyrja është vështirësuar nga terreni i thyer malor, temperaturat e larta dhe era, duke e bërë të vështirë aksesin në zonat e prekura.
Për shkak të përhapjes së zjarrit gjatë dy ditëve të fundit, në operacion janë përfshirë edhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët i janë bashkuar ekipeve që ndodhen në terren.
Ndërhyrja është mbështetur edhe nga ajri. Dy helikopterë kanë nisur që në mëngjes operacionet për goditjen e vatrave të zjarrit, në koordinim me Prefekturën e Qarkut Shkodër dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa strukturat e angazhuara vijojnë punën për izolimin e zjarrit dhe shuarjen përfundimtare të vatrave.

