Një incident tragjik ka ndodhur sot në Sarandë, ku një burrë 44-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda pas një rënieje nga lartësia e një ndërtese.
Personi që ka marrë lëndime është identifikuar si Besnik Lika, banor i Sarandës. Ai është transportuar me urgjencë në spitalin lokal, pasi dyshohet se ka rënë nga soleta ndërsa po kryente punë për riparimin e çatisë së një objekti në lagjen nr. 4.
44-vjeçari ka pësuar dëmtime serioze në shtyllën kurrizore, konkretisht një frakturë të torakalit tetë (T8), e cila ka rezultuar në paralizë të ekstremiteteve të poshtme (këmbëve).
Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore kritike dhe nevojës për trajtim më të avancuar, mjekët e Sarandës kanë vendosur ta dërgojnë atë menjëherë me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Forcat e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident të rëndë.

