Një automjet luksoz tip “Rolls-Royce” është ndaluar për kontroll në Lezhë, ndërsa Policia ka nisur verifikimet për origjinën e mjetit dhe burimin e të ardhurave të përdorura për blerjen e tij.
Kontrolli është kryer nga strukturat e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Policinë Rrugore.
Gjatë verifikimeve janë shqyrtuar dokumentacioni dhe historiku i automjetit, përfshirë të dhënat mbi blerjen, shitjen dhe posedimin e tij, si edhe mënyra se si është siguruar pasuria për blerjen.
Sipas Policisë, mjeti është bllokuar administrativisht për mungesë dokumentacioni. Paralelisht, ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj pronarit, shtetasit me inicialet F. M., i cili banon në Mbretërinë e Bashkuar.
Policia bën me dije se kontrollet ndaj automjeteve luksoze do të vijojnë, në kuadër të verifikimit të pasurive që dyshohet se mund të jenë krijuar nga burime kriminale.

