Këngët, vallet dhe ngjyrat karakteristike të Zadrimës rikthyen atmosferën e dasmave tradicionale në Gjadër të Lezhës, në një aktivitet kulturor që mblodhi dhjetëra banorë të zonës.
Oborri i shkollës së fshatit u shndërrua në një skenë të gjallë festive, ku të moshuar, të rinj dhe fëmijë interpretuan me përkushtim ritualet e dikurshme të dasmës zadrimore. Çdo detaj, nga veshjet tradicionale te këngët dhe vallet popullore, solli para publikut frymën autentike të një prej traditave më të spikatura të Zadrimës.
Banorët e zonës tregojnë se, edhe pse sot shumë elementë autentikë janë të vështirë të ruhen plotësisht, dasma zadrimore vazhdon të mbetet një simbol i fortë i identitetit kulturor dhe trashëgimisë së kësaj treve.
Sipas traditës, përgatitjet për ceremoninë e martesës nisnin disa ditë më herët dhe përfshinin të gjithë komunitetin, duke e kthyer dasmën në një ngjarje të rëndësishme shoqërore dhe kulturore.
Në realizimin e kësaj veprimtarie në Gjadër u përfshinë rreth 100 persona. Shumë prej banorëve nxorën nga arkat veshjet tradicionale të trashëguara ndër breza, duke i veshur sërish për t’i dhënë edhe më shumë vlerë dhe bukuri rikthimit të kësaj tradite të hershme.

