Debati për reformën e re territoriale nuk po ndahet vetëm mes mazhorancës dhe opozitës. Përplasja politike në nivel qendror duket se ka prodhuar një tjetër qëndrim në Vaun e Dejës, ku katër këshilltarë të opozitës kanë votuar pro projektvendimit për ndryshimet territoriale.
Këshilli Bashkiak i Vaut të Dejës e ka miratuar në parim projektvendimin me 18 vota pro. Mes tyre janë edhe katër vota të përfaqësuesve të opozitës, në një qëndrim që bie në kontrast me kundërshtimin që Partia Demokratike ka shprehur ndaj reformës në nivel qendror.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Ervis Shima, e ka konsideruar këtë vendim si një akt përgjegjshmërie, duke argumentuar se këshilltarët kanë vendosur interesin e komunitetit mbi ndarjet politike.
Në rastin e Bashkisë Vau i Dejës, propozimi nuk sjell ndryshim të kufijve territorialë të njësive vendore. Pika kryesore e projektvendimit është dhënia e statusit të qytetit për Bushatin.
Sipas dokumentit, Bushati përmbush kriteret e parashikuara për këtë status, duke u bazuar në numrin e banorëve, institucionet publike dhe aktivitetin ekonomik të zonës.
Në territorin e Bushatit jetojnë rreth 24 mijë banorë, ndërsa zona ka 14 institucione arsimore, 12 qendra shëndetësore dhe 352 njësi biznesi. Në këtë territor ndodhet edhe landfilli i Bushatit.
Votimi në Vaun e Dejës merr rëndësi edhe për shkak të debatit më të gjerë që shoqëron reformën territoriale. Ndërsa opozita në rang kombëtar e kundërshton projektin për riorganizimin e njësive vendore, në nivel lokal disa prej përfaqësuesve të saj kanë dhënë votën pro.
Kjo mbështetje hap edhe një tjetër pikë debati: nëse reforma do të çojë në bashkimin ose ndryshimin e disa bashkive, vota e këshilltarëve vendorë bëhet pjesë e një procesi që shkon përtej vetëm statusit të Bushatit.

