Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka ngritur akuza ndaj Policisë së Shtetit për dhunimin e një pedagogu të kolegjit të tij gjatë protestave studentore të zhvilluara në Tiranë.
Sipas Qorit, pedagogu u arrestua me forcë nga uniformat blu teksa konsumonte bukë në Parkun Rinia, dhe më pas është keqtrajtuar brenda ambienteve të Komisariatit nr. 4. Ai theksoi se efektivët e kanë goditur pedagogun me shpullë, duke e akuzuar si organizator të lëvizjeve protestuese të studentëve.
Qori e konsideroi këtë ngjarje si një prej padrejtësive më të mëdha dhe të pakuptimta të kryera në emër të ligjit, duke vënë në pah diferencat e mëdha sociale mes qytetarëve të zakonshëm dhe atyre në pushtet.
“Përmes një shembulli, dua ta jap edhe në mënyrë më të prekshme dallimin midis qytetarit të thjeshtë, protestues në shumë raste, dhe zonjës në pushtet, zotërinjve me shumë pushtet.
Unë kam një koleg në fakultetin tim, Alfred Bushi quhet, njeriu më i fundit paqësor. Para nja dy javësh, në mes të protestës, kur protesta ishte gjithë aty, ishin mbledhur protestuesit përkohësisht dhe po hanin bukë te Parku Rinia. U turret policia të gjithëve, rrëmben disa prej tyre. Alfred Bushin, pedagog, e kanë rrahur. Ndërkohë që e çojnë në makinën e policisë, e kanë rrahur. Po e di çfarë është më e rënda? E kanë rrahur edhe në Komisariatin nr. 4 të policisë! Dhe nuk e kanë rrahur pavarësisht se ishte pedagog. Kur ky ka thënë: ‘Unë jam pedagog’, ata e kanë goditur me shpullë, duke i thënë: ‘Ti je fajtori që studentët dalin në protestë!’
Tani, në Shqipëri janë kryer shumë krime në historinë tonë, por nuk ma ha mendja që ndonjëherë dikush të ketë ngrënë një shpullë më shumë pse është pedagog. Janë bërë krime, janë vrarë njerëz. Pedagogu, njeriu paqësor, me duar në xhepa, që ha bukë te Parku Rinia, ndërkohë që jemi në mes të një proteste që nuk ka akt dhune në ato momente, jo vetëm merret, jo vetëm mbahet, por edhe rrihet. Ndërkohë që zyrtarit të korruptuar nuk i hyn gjemb në këmbë! Nuk i hyn gjemb në këmbë! Dhe kjo është padrejtësia e madhe që kësaj radhe bëhet në emër të ligjit”, u shpreh Qori.
