Një aktivist i protestës ka theksuar se rezistenca që ka zgjatur prej 41 ditësh ka rezultuar në një nga lëvizjet më të mëdha qytetare të dokumentuara në Shqipëri.
“E kemi fituar se kemi prodhuar protestat më të mëdha që ky vend ka parë. Nëse dikush mendon se ka një protestë me numra më të mëdhenj se kjo, le të na e tregojë”, theksoi aktivisti.
Ai e përshkroi këtë përballje si një “luftë qëndrueshmërie”, duke pohuar se vazhdimi i protestave po dobëson qeverinë me kalimin e ditëve.
“Rezistenca jonë këtu për 41 ditë këta po i gërryen dita-ditës. Janë në proces gërryerjeje çdo ditë. Mjafton të shikoni postimet e tyre në rrjete sociale, janë postime që shprehin panik dhe qëndrimin me shpatulla pas murit”, u shpreh ai.
Aktivisti kritikoi qeverinë për sulmet ndaj protestuesve, duke përmendur akuzat për ndikime të huaja.
“Këta që premtojnë Europën, vetëm Europën që nuk po e sjellin. Këta na akuzojnë si agjentë të Iranit, ndërsa vetë po sillen si Irani”, shtoi ai.
Ai vazhdoi duke kritikuar gjithashtu mënyrën se si mazhoranca po reagon ndaj protestave, duke përmendur krijimin e asaj që e quajti “polici virtuale morali”.
“A mundet një qeveri e inkriminuar të na bëjë moral? Ky kryeministër e nis ditën duke postuar fletë rrugë digjitale. Duhet ta shporrim këtë mendësi komuniste që na udhëheq prej më shumë se 36 vitesh”, përfundoi aktivisti.

