Protesta masive përpara Kryeministrisë ka arritur në ditën e saj të 37-të, duke shpërndarë mesazhe të fuqishme lidhur me mbështetjen ndërkombëtare. Gjatë fjalës së tij, një prej protestuesve ka theksuar se kauza qytetare po fiton çdo ditë e më shumë mbështetje nga faktorë të jashtëm, ndërsa solli në vëmendje një mesazh të rëndësishëm nga ambasadori gjerman në Shqipëri.
Sipas tij, kreu i qeverisë shqiptare po përballet me një izolim dhe diskreditim të theksuar në arenën ndërkombëtare. Ai përmendi se, përveç europarlamentarëve që kanë mbështetur protestat, një kongresmen amerikan ka nisur një hetim zyrtar për lidhjet e mundshme të Edi Ramës me narkotrafikun.
Protestuesi fokusoi fjalën e tij në deklaratat e fundit të diplomatit gjerman, duke i interpretuar ato si një “vulë” të legjitimitetit të kësaj proteste 37-ditore.
“Sot kemi një mbështetje të jashtëzakonshme nga ambasadori i Gjermanisë. Ai i cilësoi protestat si pjesë e vlerave evropiane. Citoj si më poshtë: ‘Duhet të vlerësojmë ata që zbatojnë vlerat e BE-së në përditshmëri, ata që qëndrojnë për mbrojtjen e ligjit, natyrës etj. Çdo aktivitet i shoqërisë civile në përputhje med vlerat e BE-së është i mikpritur. Protestat e dhunshme nuk janë pjesë e BE-së’,” tha ai nga podiumi.
Ai nënvizoi se këto fjalë tregojnë se bota demokratike e sheh këtë tubim si një kërkesë të drejtë për liri dhe drejtësi, veçanërisht për shkak se ka mbajtur një natyrë tërësisht paqësore.
Protestuesi, gjithashtu, bëri një krahasim të situatës politike të Edi Ramës që nga fillimi i protestave deri tani, duke shpallur se pushteti i tij është në rënie.
“Një kongresmen amerikan ka hapur hetimin për qeverinë shqiptare dhe Edi Ramën për lidhjet e tij me drogën. Para një muaji, ai ishte një mbret i plotfuqishëm, ndërsa sot është i diskredituar në sytë e shqiptarëve dhe të botës demokratike. Sot ai është një kufomë politike; pas një muaji, do të jetë një hiç politik dhe një asgjë,” shprehu ai.
Në përfundim të fjalës, protestuesi i bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë betejën e tyre në bulevard, duke shprehur një optimizëm të fortë për rrëzimin e asaj që ai e quajti “klikë”.
“Ta vazhdojmë kështu miq! Ai hedh miliona euro për propagandë, ne me një mikrofon e kemi kthyer në mbetje politike. Fundi i klikës së Edi Ramës është i pashmangshëm! Do ta largojmë një herë e mirë atë dhe do ta hedhim në koshin e historisë!” përfundoi ai deklaratën e tij.

