Ilirian Celibashi, kreu i KQZ, është shprehur se Shqipëria nuk është ende gati për një depolitizim të plotë të administratës zgjedhore. Ai ka paraqitur një propozim për një model hibrid, në të cilin partitë politike do të vazhdojnë të luajnë një rol në menaxhimin e zgjedhjeve, por pa pasur kontroll të plotë mbi procesin.
Gjatë një raportimi në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Celibashi theksoi se administrimi i zgjedhjeve nuk duhet t’i lihet plotësisht partive politike, ashtu siç nuk duhet të kalojë tërësisht te nëpunësit civilë.
“Mendoj se ka ardhur koha që administrimi i zgjedhjeve në nivelet e dyta dhe të treta të mos jetë vetëm domen i partive politike. Nga ana tjetër, nuk jam i mendimit që anëtarët e këtyre komisioneve të jenë nëpunës civilë. Jemi ende herët që ky proces të administrohet tërësisht prej tyre,” ka deklaruar Celibashi.
Sipas tij, zgjidhja më e përshtatshme do të ishte një model ndërmjetës.
“Partitë politike duhet të jenë ende pjesë e administrimit të zgjedhjeve, por jo 100%. Duhet një zgjidhje hibride, ku partitë kryesore të jenë të përfaqësuara, ndërsa KQZ të ketë rol më të madh dhe më të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e komisionerëve,” ka shtuar ai.
Celibashi gjithashtu u ndal në procesin e numërimit të votave, duke pasqyruar se sistemi aktual kërkon përmirësime.
“Numërimi në qendrat e votimit mendoj se është zgjidhja e duhur. Në çdo rast, mënyra si e kemi sot nuk është e mirë,” theksoi ai.

