Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar për protestën masive qytetare që po zhvillohet në Tiranë prej 12 ditësh, duke mbështetur të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht.
Në deklaratën e tij, KASH thekson se kërkesat e protestuesve janë legjitime dhe duhet të merren seriozisht nga institucionet. Sipas Këshillit, qytetarët kërkojnë mbrojtjen e interesave kombëtare, pasurive publike dhe mjedisit.
KASH kërkon më shumë transparencë, dialog dhe llogaridhënie nga qeveria Rama. Ai thekson se vetëm në këtë mënyrë mund të forcohet besimi i qytetarëve dhe të përparojë procesi i integrimit në Bashkimin Europian.
Sipas deklaratës, protestat nuk lidhen vetëm me një çështje konkrete, por edhe me shqetësime më të thella si korrupsioni, pandëshkueshmëria dhe mungesa e besimit tek institucionet.
Këshilli shpreh shqetësim për mënyrën si janë trajtuar kërkesat e protestuesve dhe dënon çdo qëndrim arrogant ndaj tyre.
Në fund, KASH mbështet investimet e huaja, por kërkon që ato të jenë transparente, të respektojnë ligjin dhe të mbrojnë interesin kombëtar. Ai bën thirrje për dialog mes institucioneve, qytetarëve dhe aktorëve të tjerë për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

