Rreth 50 studentë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut po zhvillojnë për katër ditë një program trajnimi në Universitetin e Shkodrës, me fokus te pronësia intelektuale dhe mënyrat e mbrojtjes së saj.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të Kampit Rajonal Rinor, të organizuar nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse të tre vendeve. Me mbështetjen e Fakultetit të Drejtësisë, pjesëmarrësit po njihen më nga afër me aspektet ligjore dhe praktike të kësaj fushe, ndërsa ndajnë mes tyre edhe përvojat nga vendet përkatëse.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve lidhet me sfidat që hasin të rinjtë në mbrojtjen e ideve, krijimeve dhe produkteve të tyre intelektuale, veçanërisht nga kopjimi apo përdorimi pa autorizim.
Pronësia intelektuale mbetet gjithashtu një element i rëndësishëm në procesin e integrimit europian. Për vendet e rajonit, forcimi i kuadrit ligjor dhe mekanizmave të mbrojtjes së saj vijon të jetë një nga sfidat që kërkon më shumë ndërgjegjësim dhe bashkëpunim.

