Kreu i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, ka kundërshtuar akuzat se ndryshimi i hartës territoriale është një reformë elektorale e mazhorancës për të konsoliduar votën e saj.
Mazniku deklaroi se një nga argumentet kryesore kundër kësaj teze është fakti që kundërshtimet ndaj hartës së re kanë ardhur edhe nga drejtues vendorë dhe këshilltarë të Partisë Socialiste.
“Më e thjeshta për këtë punë është që të gjithë ju që keni raportuar me shumë të drejtë aty ku ka pasur kundërshti për reformën, në 99% të rasteve kanë qenë kryetarë socialistë, këshilltarë socialistë”, tha Mazniku.
Sipas tij, nuk do të kishte logjikë që mazhoranca të ndërmerrte një reformë për interesa elektorale duke krijuar pakënaqësi te vetë kryetarët e bashkive dhe këshilltarët e saj.
“Për sa kohë që i paska pasur mazhoranca, si ka mundësi të ketë një mekanizëm konsolidimi hallin te kryetarët e mazhorancës që i kanë dalë kundër, që s’do zgjidhen më vetë, që nuk do jenë më vetë kryetarë?”, u shpreh ai.
Mazniku pranoi se kundërshtimet e drejtuesve vendorë janë të lidhura edhe me të ardhmen e tyre politike. Ai tha se është e kuptueshme që një kryetar bashkie të shqetësohet nëse bashkia e tij bashkohet me një njësi më të madhe, pasi mundësia për t’u zgjedhur sërish mund të jetë më e vogël.
“Është krejt legjitime që njerëzit të kenë interesa politike. Nuk e marr as për ters unë që një person thotë: ‘Unë jam kryetar bashkie, duhet të jem prapë kryetar bashkie. Në momentin që bashkia ime bashkohet me një bashki më të madhe, unë që të zgjidhem te bashkia e madhe kam shansin më të vogël’”, deklaroi Mazniku.
Por ai tha se fokusi i reformës, sipas tij, nuk është karriera e drejtuesve vendorë, por ofrimi i shërbimeve për qytetarët.
“Synimi im, synimi ynë dhe i gjithë grupit që është marrë me reformën ka qenë jo si t’i zgjidhim hallin ofiqarëve, por si t’i zgjidhim hallin qytetarëve”, u shpreh ai.
Mazniku: Do të kisha dashur më shumë kohë për konsultimin
Duke folur për kritikat mbi konsultimin publik, Mazniku pranoi se do të kishte preferuar që procesi të kishte më shumë kohë, por argumentoi se reforma është zhvilluar brenda një afati të përcaktuar.
“Në një situatë tjetër, unë do kisha pasur padyshim qejf që të kisha pasur shumë herë më shumë kohë për ta marrë kohën për të diskutuar këtë reformë. Por ama, si kuadër i kohës në të cilën vendosëm, afati ishte ai dhe ti do bësh atë që mund të bësh brenda hapësirës”, tha ai.
Sipas Maznikut, dilema e reformës është e lidhur drejtpërdrejt me afatin e zgjedhjeve vendore.
“O e bëjmë këtë reformë sot dhe e fillojmë në 2027-ën, o kjo reformë ngel për 2031-shin”, deklaroi ai.
Mazniku shpjegoi se në javën e parë të nëntorit presidenti duhet të shpallë datën e zgjedhjeve dhe, për këtë arsye, koha e miratimit të hartës së re është përcaktuese për zbatimin e saj.
“Ne e kemi nisur këtë punë me një objektiv. Ne do ta mbyllim këtë punë në shtator, gjallë a vdekur do ta mbyllim ose s’do ta mbyllim fare”, tha ai.
“Nuk kemi bërë projeksione elektorale”
Mazniku mohoi gjithashtu se reforma është ndërtuar mbi llogari elektorale. Ai tha se nuk janë bërë projeksione për ndikimin që ndryshimi i bashkive mund të ketë në zgjedhje.
“Aq irelevante është kjo temë saqë as nuk kemi marrë mundimin të bëjmë projeksion se çfarë ndodh elektoralisht me gjënë”, deklaroi ai.
Sipas tij, qëllimi i reformës lidhet me kapacitetin e bashkive për të ofruar shërbime.
Duke marrë si shembull Elbasanin, Cërrikun dhe Belshin, Mazniku tha se bashkitë kanë kapacitete të ndryshme për të përmbushur funksionet që u ngarkon ligji.
“Elbasani bën 25 nga këto 36. Cërriku… dhe Belshi ka 14. Që do të thotë nga totali i funksioneve që ato duhet të kryejnë, njëra ka 16, tjetra 14, Elbasani bën 25”, tha ai.
Mazniku argumentoi se bashkimi do të mundësonte që shërbimet e ofruara nga bashkia më e madhe të shtriheshin edhe në territoret që aktualisht kanë kapacitete më të kufizuara.
“Që nga dita e bashkimit të gjithë këto do kenë 25-ën, sepse numri i funksioneve që ofrohen te bashkia e madhe do ofrohen për të gjithë”, u shpreh ai.
Në këtë kuadër, Mazniku e paraqiti reformën si një përpjekje për rritjen e kapaciteteve të pushtetit vendor dhe jo si një ndërhyrje me synim elektoral.

