Ura e Bardhajve, një nga lidhjet e rëndësishme mes qytetit të Shkodrës dhe fshatrave të zonës së Rrethinave, po shkon drejt degradimit, ndërsa mungesa e ndërhyrjeve e ka kthyer kalimin në të në një shqetësim serioz për banorët dhe drejtuesit e automjeteve.
Rritja e nivelit të lumit Kir dhe gërryerja e vazhdueshme nga rrjedha e tij kanë dëmtuar më tej strukturën e urës, përfshirë këmbët mbajtëse dhe bazamentin. Një situatë që ngre pikëpyetje serioze për sigurinë e kësaj vepre infrastrukturore dhe rrezikun që u kanoset qytetarëve që e përdorin çdo ditë.
Por ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë situatë janë premtimet e pambajtura. Më 24 qershor, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, publikoi një njoftim ku bënte me dije nisjen e rikonstruksionit të urës. Megjithatë, pavarësisht këtij njoftimi, punimet kanë mbetur vetëm në letër dhe deri më sot nuk ka nisur asnjë ndërhyrje konkrete për rehabilitimin e saj.

Ndërkohë, rruga mbi urë është e mbushur me gropa, trotuari paraqitet i dëmtuar dhe ura, e cila ka vetëm një korsi kalimi, shkakton radhë dhe vështirësi në qarkullimin e përditshëm.
Banorët ngrenë shqetësimin se, pavarësisht gjendjes së rënduar, nuk është bërë asgjë për të përmirësuar situatën. Ata kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të mos mjaftohen me postime dhe premtime publike, por të ndërhyjnë konkretisht përpara se dëmtimet të bëhen edhe më të rënda.
Benet Beci njoftoi rikonstruksionin më 24 qershor, por në terren ura vijon të degradojë. Deri kur do të mbetet ky projekt vetëm një premtim në rrjetet sociale, ndërsa qytetarët rrezikojnë çdo ditë duke kaluar mbi të?
