Denaldo Maxhallaku, 31-vjeçari shqiptar që banonte në Gatteo të Italisë dhe punonte si bojaxhi, është gjetur i vdekur në fund të një pusete prej betoni për grumbullimin e ujërave, në zonën Felloniche të Longianos, përgjatë rrugës Fondovalle Rubicone. Sipas të dhënave nga “Il Resto del Carlino”, Maxhallaku ishte shpallur i zhdukur që prej mbrëmjes së 8 tetorit, kur kishte lënë shtëpinë duke njoftuar familjarët se do të shkonte në një lokal dhe do të kthehej më vonë atë natë.
Lidhur me këtë ngjarje, policia ka arrestuar një shtetas italian 29-vjeçar nga Longiano, i cili, sipas raportimeve, ka pranuar autorësinë gjatë marrjes në pyetje nga karabinierët. “Isha unë”, deklaroi ai para hetuesve.
Hetuesit kanë zbuluar se viktima dhe i dyshuari ishin takuar në banesën e këtij të fundit mbrëmjen kur Maxhallaku u zhduk. Konflikti midis tyre dyshohet se ka nisur për shkak të një borxhi të madh që i dyshuari i kishte viktimës për drogë, dhe debati ka degraduar në dhunë.
Gjatë dëshmisë së tij, 29-vjeçari ka pohuar se ishte ndjerë i rrezikuar për veten dhe të afërmit e tij. “Kisha frikë për veten dhe familjen time, u ndjeva i kërcënuar”, është shprehur ai, duke shpjeguar se situata kishte dalë jashtë kontrollit të tij.
Pas krimit, sipas të njëjtave burime, i dyshuari kishte transportuar trupin e pajetë të Maxhallakut dhe e kishte fshehur në një pus pranë zonës së fushave. Më vonë dyshohet se i ka vënë flakën automjetit të viktimës, për të larguar gjurmët.
Përmes analizës së të dhënave të komunikimeve telefonike, hetuesit arritën te 29-vjeçari, i cili rezultonte personi i fundit që kishte pasur kontakte me Maxhallakun.
Aktualisht, i ndaluari po mbahej në kazermën e karabinierëve në Savignano dhe pritej të transferohej në burgun e Forlit në pritje të vlerësimit të ndalimit nga gjykata. Po ashtu, të shtunën do të caktohej eksperti që do të kryente autopsinë.
E shoqja e Denaldo Maxhallakut, e ndihmuar nga avokati Raffaele Pacifico, ka treguar dhimbjen për humbjen e bashkëshortit. Ajo rrëfeu se Maxhallaku ishte larguar nga shtëpia më 8 tetor, duke u thënë se do të shkonte në një lokal dhe do të kthehej në mbrëmje.
“Ai ishte një bashkëshort i pranishëm, një baba i kujdesshëm, e donte shumë vajzën tonë vetëm një vjeçe dhe ishte një punëtor i palodhur”, shkruan media italiane nga deklarata e saj.

