Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka dalë me një reagim pas akuzave të ngritura nga Enea Gjodedja, i cili ka pohuar se është dhunuar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe në zyrën e shefit të këtij institucioni.
Përmes një deklarate për shtyp, policia ka hedhur poshtë këto akuza, duke informuar se Gjodedja u shoqërua në komisariat në mbrëmjen e 17 nëntorit 2026. Pas kryerjes së procedurave të nevojshme, ai është ndjekur penalisht për pesë akuza: “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”.
Policia sqaron se, në momentin kur Gjodedja është larguar nga komisariati, ai ka firmosur procesverbalin e hartuar nga efektivët, duke deklaruar se nuk kishte asnjë ankesë për mënyrën e trajtimit. DVP Tiranë thekson gjithashtu se në asnjë rrethanë Gjodedja nuk është ftuar apo shoqëruar në zyrën e shefit të Komisariatit Nr. 1.
Lidhur me dëmtimin që Gjodedja ka marrë në syrin e majtë, policia ofron versionin e saj. Sipas informacionit zyrtar, më 18 nëntor, rreth orës 15:05, Gjodedja është paraqitur në spital me plagë në atë zonë.
Sa i përket shkaqeve të dëmtimit, policia njofton se, gjatë një interviste me forcat që patrullonin te spitali, Gjodedja është shprehur se një natë më parë, rreth orës 21:30, pranë ish-Hotel Dajtit, është ndaluar dhe dhunuar nga persona të panjohur.
Në marrjen e dëshmisë ka qenë i pranishëm edhe një avokat. Policia bën të ditur se Gjodedja ka refuzuar të bëjë kallëzim, ndërsa për incidentin është vënë në dijeni edhe salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Reagimi i policisë:
Në lidhje me pretendimet e shtetasit Enea Gjodedja për ushtrim dhune ndaj tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe në zyrën e shefit të Komisariatit, sqarojmë opinionin publik se këto pretendime nuk janë të vërteta.
Shtetasi E. Gj. është shoqëruar mbrëmjen e datës 17.11.2026 në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”.
Në momentin e largimit nga ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, shtetasi E. Gj. ka nënshkruar procesverbalin e veprimeve të kryera nga punonjësi i Policisë me personin e ndaluar përkohësisht, në të cilin ka deklaruar se nuk kishte pretendime në lidhje me veprimet e kryera nga punonjësit e Policisë.
Njëkohësisht, bëjmë me dije se shtetasi E. Gj. nuk është thirrur dhe as shoqëruar në asnjë moment në zyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se, më datë 18.11.2026, rreth orës 15:05, ky shtetas është paraqitur në spital me dëmtime në pjesën e syrit të majtë. Në momentin kur është pyetur nga punonjësit e Policisë të planizuar me shërbim pranë spitalit, ai u ka bërë me dije se, më datë 17.11.2026, rreth orës 21:30, pranë ish-Hotel Dajtit, është ndaluar dhe dhunuar nga disa shtetas që nuk i njeh. Gjatë pyetjeve të bëra nga Patrulla e Përgjithshme ka qenë i pranishëm edhe një avokat. Sqarojmë gjithashtu se ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallëzim. Për këtë rast është njoftuar edhe salla operative e DVP Tiranë.
