Protestuesit janë mbledhur sot (6 qershor) për të shtatën ditë në Tiranë në protestën masive kundër qeverisë dhe për shkak të projektit të Zvërnecit.
Mijëra qytetarë, mes tyre edhe gra e fëmijë, të rinj e të moshuar, shoqëria civile dhe zëra të tjerë të pavarur, janë mbledhur së bashku në orën 18:00, fillimisht në Sheshin Skënderbej, më pas do marshojnë drejt Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit ishin me mijëra që u derdhën në sesh. Nuk munguan thirrjet për rrëzimin e qeverisë dhe deri në konfiskimin e pasurive.
“Ne nuk duam vetëm burgun, por edhe konfiskimin e pasurive, konfiskim të vërtetë. Ne duam konfiskimin e pasurisë që i përket popullit shqiptar”, tha një protestues mes të tjerash.
Thirrjet ishin nga më të ndryshmet:
“Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Berisha në burg, Rama në burg”. “Qeveria e krimit”, “Edi Rama ka mbaru, ka mbaru”, “Dorëheqje, dorëheqje”.
Nuk munguan as thirrjet “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë diktatura!”, “Poshtë qeveria” apo “O sa mirë me qenë shqiptar ohej!”.

