Një incident i rëndë raportohet të ketë ndodhur në ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”, pak pas përfundimit të takimit Elbasani–Vllaznia, i cili u mbyll në barazim 1-1.
Sipas deklaratave të zyrtarit Klajdi Kola, situata është tensionuar në ambientet e dhomave të zhveshjes, ku presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, dyshohet se është përfshirë në një përplasje me arbitrin e ndeshjes.
Kola pretendon se Xhaferri ka goditur me grusht arbitrin e katërt, Egli Spahiun.
“Presidenti i Vllaznisë goditi me grusht arbitrin e katërt. Është lajm i konfirmuar”, është shprehur Klajdi Kola në studion e “Super Gol”.
Ngjarja vjen pas një ndeshjeje të tensionuar, ku Vllaznia pati pretendime të forta ndaj vendimeve të arbitrimit. Për momentin, mbetet për t’u parë nëse incidenti do të konfirmohet zyrtarisht nga klubet, FSHF apo strukturat përkatëse.

