Agron Shehaj, kryetar i Partisë Mundësia, ka komentuar tensionet mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, pas akuzave të këtij të fundit se është kërcënuar në qelinë e tij nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, me urdhër të kryeministrit Rama. Sipas Shehajt, në Partinë Socialiste ka nisur një përplasje e ashpër mes figurave kryesore.
“Ka plasur keq brenda Partisë Socialiste! Po hanë kokat e tyre. Erion Veliaj sot ka bërë një deklaratë bombë. Ka thënë që jam kërcënuar nga Edi Rama nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë, në qeli në burg.
Ka pranuar gjithashtu që deri dje, Edi Rama është kujdesur për kushtet e tij në burg, është kujdesur për miqtë e tij dhe për familjarët e tij. Dhe nga sot e tutje e ka kërcënuar Erion Veliajn që nuk do kujdeset më. I ka thënë që do ta kalbë në burg, nëse nuk hesht, nëse nuk pranon kushtet e Edi Ramës” – u shpreh Shehaj.
Kreu i Partisë Mundësia theksoi se është koha që SPAK të nisë një hetim ndaj Edi Ramës. Shehaj thekson se regjimi i Ramës po shkatërrohet nga brenda dhe se tani SPAK duhet të japë një shembull që askush nuk është i paprekshëm para ligjit, përfshirë dhe Ramën.
“Çfarë duhet të ndodhë më që SPAK-u të marrë nën hetim Edi Ramën? Është e qartë që me këto që po tregon edhe Veliaj, është e qartë që në krye të kësaj organizate kriminale qëndron vetë Edi Rama. Vetë Edi Rama kujdeset për anëtarët e bandës, të cilët kanë përfunduar në burg ose para drejtësisë, dhe i njëjti kujdeset gjithashtu që t’i kërcënojë nëse ndonjëri prej tyre guxon dhe i del kundër Edi Ramës. Ky regjim kriminal po bie nga brenda, po shkërmoqet. Tani, i takon SPAK-ut të tregojë që nuk ekziston asnjë vijë e kuqe, që askush nuk është i paprekshëm, përfshi Edi Ramën” – u shpreh Shehaj.
