Bashkimi Evropian pret që Shqipëria të zbardhë e ndëshkojë krimet e komunizmit dhe të trajtojë me status të veçantë ish-të përndjekurit politikë. Ky ishte mesazhi i ambasadorit të BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato, gjatë aktivitetit përkujtimor të organizuar për 53-vjetorin e revoltës së Spaçit në Mirditë.
Diplomati evropian zgjodhi të flasë pas telave me gjemba, simbol i diktaturës së egër komuniste në këtë vend. Edhe ish-të përndjekurit politikë kërkuan që të zbardhen krimet e komunizmit dhe të trajtohen me pension të veçantë.
Kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Mëlyshi, kërkoi që ish-burgu i Spaçit dhe e kaluara komuniste të marrin vëmendje, ndërsa përfaqësues të Qeverisë dhe Autoritetit të Dosjeve premtuan veprime konkrete për këtë çështje.
Në 53-vjetorin e revoltës antikomuniste të Spaçit në Mirditë u improvizuan skena të asaj dite, si dhe u ekspozuan foto dhe dëshmi të ish-të përndjekurve politikë. Me thirrjet “Poshtë komunizmi”, “E duam Shqipërinë në Europën e lirë”, më 21 maj të vitit 1973, të burgosurit iu kundërvunë policëve që po torturonin shokun e tyre, Pal Zefin, dhe morën nën kontroll kampin. Revolta e tyre zgjati 3 ditë me radhë, por në fund ajo u shtyp me terror dhe, në shenjë hakmarrjeje, pushteti ekzekutoi 4 djem të rinj: Pal Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën dhe Hajri Pashajn.

