Për një fërkim pasqyrash, e rrëmbejnë nga duart e policisë dhe e masakrojnë në pyll në Kukës

Një konflikt banal për një fërkim pasqyrash makine ka përfunduar në një ngjarje të rëndë në Kukës, ku një person dyshohet se është rrëmbyer nga duart e policisë dhe është dhunuar brutalisht në një zonë pyjore.

Detajet e ngjarjes janë bërë publike nga gazetari shkodran Eraldo Harlicaj, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale pretendon se gjithçka ka nisur pas një përplasjeje mes dy bashkëfshatarëve, Valdet D. dhe Sadi E.

Sipas rrëfimit të gazetarit, dy personat janë përfshirë në një debat me sharje dhe ofendime, pas një fërkimi pasqyrash gjatë lëvizjes me automjete.

Pas konfliktit, policia ka ndaluar Valdetin, por Sadi dyshohet se ka thirrur xhaxhain e tij, Saminë, dhe së bashku janë kthyer në vendngjarje. Ata pretendohet se kanë përplasur automjetin e Valdetit, e kanë marrë forcërisht nga duart e dy punonjësve të policisë dhe e kanë futur në një automjet tip ML, me të cilin e kanë dërguar në pyll dhe e kanë dhunuar rëndë.

Më pas, sipas gazetarit, dy autorët e dyshuar e kanë lënë personin në pyll dhe janë larguar drejt Kukësit.

Për neutralizimin e tyre është dashur ndërhyrja e forcave të specializuara të policisë, ndërsa deri më tani pretendimet e bëra publike nga gazetari presin konfirmimin zyrtar nga autoritetet.

Ngjarja ngre pikëpyetje të forta për sigurinë dhe autoritetin e policisë, pasi, sipas këtij versioni, një person është marrë me forcë nga prania e dy efektivëve, për një konflikt që dyshohet se nisi nga një dëmtim i vogël automjetesh.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe