Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi thotë se miratimi me konsensusin mes PS-PD të rezolutës për integrimin në BE, nuk dobëson asnjë krah politik, përkundrazi, forcon mbi të gjitha Shqipërinë. Në një postim në Facebook, Peleshi nënvizon se nuk është e drejtë ky polarizim politik në këto raste kaq të pakta konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa shton se miratimi i përbashkët ishte për të mbështetur jo vetëm me fjalë anëtarësimin e vendit në BE. Rezoluta e përbashkët PS-PD u miratua dje në Kuvend pas 5 orëve debat për integrimin me 114 vota pro.
Postimi i plotë
KONSENSUSI NUK ESHTË DOBËSI!
Konsensusi ndërmjet forcave të mazhorancës dhe opozitës mbi Rezolutën për anëtarësimin në BE ishte një ngjarje pozitive dhe shumë e rëndësishme për momentin ku ndodhet vendi ynë.
Shqipëria ka një karakteristikë unike ndër vendet aspirante, madje edhe ndër vendet anëtare të BE-së: të gjitha partitë politike, në mazhorancë apo opozitë, parlamentare apo joparlamentare, të mëdha apo të vogla, kanë në program si prioritet absolut anëtarësimin në BE. Pra, në Shqipëri nuk ka forca politike (apo shoqërore) euroskeptike.
Miratimi konsensual i rezolutës ishte rasti për ta mbështetur jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, njëzëri, aspiratën tonë të përbashkët për anëtarësim.

