Pejë/ Dënohet me 10 vite burg serbi për krime lufte ndaj shqiptarëve

Publikuar me datë:

Millorad Gjokoviç është shpallur fajtor për krime lufte në Ozdrim dhe fshatrat përreth të rajonit të Pejës, duke u dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dhjetë vjet burg.

Gjokoviç, banor i fshatit Vitomiricë në komunën e Pejës dhe shtetas i Kosovës, u arrestua në qershor të vitit 2022. Në atë periudhë, autoritetet bënë të ditur identitetin dhe vendbanimin e tij.

Sipas trupit gjykues, periudha që Gjokoviç ka kaluar në paraburgim do të konsiderohet gjatë llogaritjes së dënimit, raporton Betimi për Drejtësi.

Një vit pas arrestimit, në qershor të 2023, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj tij, duke e akuzuar se në 7 maj 1999, “së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, fillimisht rrethuan fshatin Ozdrim në komunën e Pejës, dhe më pas nisën një ofensivë ushtarake – policore, duke shtënë me armë në drejtim të popullsisë civile me ç’rast u vranë 19 civilë të nacionalitetit shqiptarë”.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale të datës 23 qershor 2023 theksohej: “Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”.

Për krime lufte në Kosovë, që nga përfundimi i luftës, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë kanë shqiptuar dënime për dhjetëra individë.

Gjatë viteve 2000 deri në 2008, hetimet për krimet e luftës në Kosovë u udhëhoqën nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Pas këtij viti, përgjegjësinë për hetime e mori Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Dokumentacioni u transferua tek Prokuroria e Kosovës dhe gjykatat vendore në vitin 2018.

Kohët e fundit, Prokuroria Speciale ka vazhduar me ngritjen e një numri të madh aktakuzash për krime lufte, duke përfshirë edhe ato të ngritura në mungesë të të dyshuarve.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka regjistruar gjithsej 12.230 viktima nga lufta e viteve 1998-’99.

Gjithashtu, mbi 1.500 persona konsiderohen ende të zhdukur si pasojë e konfliktit./Rel/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related