Partia Demokratike në Shkodër ka nisur diskutimet për përzgjedhjen e kandidatit që do të garojë për drejtimin e bashkisë në zgjedhjet lokale të 9 majit. Edhe pse ende nuk ka një vendimmarrje zyrtare, brenda strukturave të demokratëve kanë dalë në qarkullim disa emra potencialë.
Mes alternativave kryesore përmendet deputeti Bardh Spahia, i cili mund të synojë një tjetër garë për Bashkinë e Shkodrës.
Në skenë është edhe emri i ish-rektorit të Universitetit të Shkodrës, Tonin Gjuraj. Profili i tij akademik dhe mbështetja që, sipas burimeve, gëzon në radhët e demokratëve, e bëjnë një prej alternativave që po shqyrtohen.
Pjesë e diskutimeve janë edhe deputeti Kliti Hoti dhe Ted Kopliku, të cilët konsiderohen si kandidatura të mundshme për të përfaqësuar PD-në në këtë garë.
Për momentin, këta emra mbeten në nivel diskutimesh, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të varet nga konsultimet dhe mbështetja që do të marrin nga strukturat e Partisë Demokratike.
Kush do të jetë kandidati që do të përballet me rivalët politikë për Bashkinë e Shkodrës?
