Operacion në Kosovë kundër prostitucionit, identifikohen 155 shtetase shqiptare në lokalet me muzikë live

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës kundër trafikimit të qenieve njerëzore ka përfshirë kontrollimin e 102 lokaleve në gjithë vendin, gjatë së cilës 15 objekte janë mbyllur për shkelje administrative dhe tetë persona janë arrestuar në lidhje me kundërvajtje që kanë të bëjnë me prostitucionin.

Operacioni, që mbante emrin “Vjeshta 2026”, është kryer nga data 3 deri më 17 nëntor nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkërendim me njësitë e ndryshme të Policisë së Kosovës dhe inspektorë nga institucione të ndryshme.

Sipas deklaratës zyrtare të Policisë, kontrolli është përqendruar në 40 lokale ku zhvillohej aktivitet me muzikë live. Në këto vende janë identifikuar 285 persona, prej të cilëve 223 ishin femra dhe 62 meshkuj.

Ndër të identifikuarit rezulton se 117 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa pjesa tjetër prej 168 vetash ishin shtetas të huaj. Prej tyre, 155 vinin nga Shqipëria, nëntë nga Serbia, tre nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kolumbia.

Pas inspektimeve, inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë urdhëruan mbylljen e tetë lokaleve me muzikë live për shkelje të rregullave administrative.

Operacioni ka përfshirë gjithashtu verifikimin e 62 qendrave të masazhit në territorin e Kosovës. Në këto qendra janë evidentuar 120 persona, përkatësisht 94 femra dhe 26 meshkuj.

Nga të përfshirët, 73 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 47 të tjerë ishin shtetas të huaj. Kategoria e huaj përfshinte 19 persona nga Shqipëria, 27 nga Tajlanda dhe një nga Serbia.

Si rezultat, janë ndërmarrë masa për mbylljen e shtatë qendrave masazhi për arsye administrative.

Policia ka regjistruar edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, që lidhen me aktivitetin e eskortës.

Në këto episode janë ndaluar tetë persona: katër meshkuj (tre shtetas të Kosovës dhe një nga Shqipëria) dhe katër femra (një nga Brazili dhe tri nga Kolumbia).

Për kundërvajtjet janë lëshuar fletëparaqitje në gjykatë dhe janë vendosur gjoba për të përfshirët. Po ashtu, femrat me shtetësi të huaj janë ndëshkuar nga gjykata me masa plotësuese: dëbim nga territori i Kosovës dhe ndalim hyrjeje nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Gjatë zbatimit të operacionit, punëtoret në lokalet me muzikë live, qendrat e masazhit dhe në aktivitetet e eskortës janë pyetur nëse ishin viktima të ndonjë forme shfrytëzimi apo trafikimi.

Sipas Policisë, në asnjërin nga rastet e evidentuara nuk është konstatuar trafikim i qenieve njerëzore.

Ky aksion është realizuar me bashkëpunimin e Inspektoratit Qendror të Tregut, Inspektoratit Qendror të Punës, Administratës Tatimore të Kosovës, inspektorëve sanitarë si dhe strukturave të tjera të Policisë së Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe