Volker Türk, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ka apeluar për krijimin e rregulloreve të unifikuara që mbrojnë fëmijët në të gjitha platformat e mediave sociale.
Kjo deklaratë vjen pas marrëveshjes së fundit të arritur në Shtetet e Bashkuara me kompaninë Meta, e cila kërkon pagesa të mëdha dhe vendos kufizime të reja për adoleshentët që përdorin Instagram dhe Facebook.
Türk reagoi në platformën X, duke theksuar: “Fëmijët nuk duhet të presin për një padi ligjore që të jenë në gjendje të shfletojnë internetin në mënyrë të sigurt”.
Gjatë procesit gjyqësor, Meta pranoi të paguajë deri në 17 miliardë dollarë dhe të aplikojë kufizime të reja për përdoruesit adoleshentë në rreth 50 shtete dhe territore të SHBA. Pas kësaj, Teksasi njoftoi një marrëveshje të veçantë me Meta, që kap vlerën mbi 1 miliard dollarë, duke e çuar totalin e zgjidhjeve në më shumë se 18 miliardë dollarë.
Türk e vlerësoi se masat e reja të Meta janë “në drejtimin e duhur”, por nënvizoi nevojën që i gjithë sektori i teknologjisë të mbështesë një qasje të fokusuar te siguria.
Ai shtoi: “Qeveritë duhet të marrin iniciativën në vend që të presin që gjykatat dhe kompanitë të ndërmarrin veprime”.
Komisioneri i OKB-së prej kohësh ka evidentuar problematikën e rrezikut të fëmijëve gjatë përdorimit të internetit. Sipas tij, kufijtë e moshës nuk mjaftojnë për të zgjidhur sfidat që lidhen me modelet e biznesit dhe algoritmet që përdorin rrjetet sociale.
Türk ka kërkuar nga kompanitë teknologjike që të ndërtojnë sigurinë “me anë të projektimit”, duke theksuar se përgjegjësia nuk duhet t’u lihet vetëm prindërve ose vetë fëmijëve.
Zyra e tij ka nxjerrë edhe dhjetë udhëzime për sigurinë e fëmijëve online, ndër të cilat përfshihet edhe detyrimi që të dhënat e të miturve të mbrohen automatikisht në nivelin më të lartë dhe përdorimi i mikrotargetimit për qëllime tregtare ndaj fëmijëve të ndalohet.
Meta është përballur edhe me kërkesa në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian ka hapur një hetim mbi rreziqet që Facebook dhe Instagram mund të sjellin për përdoruesit, veçanërisht për të miturit dhe të rriturit vulnerabël.
Autoritetet në Bruksel kanë ngritur shqetësime se disa funksionalitete të platformave mund të nxisin varësi dhe përdorim të tepërt, ndërsa kërkojnë nga Meta të vlerësojë dhe kufizojë më mirë këto risqe.
Diskutimi mbi sigurinë e fëmijëve në rrjetet sociale pritet të bëhet edhe më i fortë, pasi qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare kërkojnë më shumë përgjegjësi nga platformat teknologjike për pasojat ndaj të miturve.

