Bashkia Vau i Dejës organizoi një aktivitet sensibilizues në kuadër të fushatës “Tetori Rozë”, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit dhe rëndësinë e kujdesit për shëndetin e grave.
Në aktivitet mori pjesë edhe kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër, Marina Duhani, e cila u bëri thirrje grave që të mos neglizhojnë kontrollet mjekësore dhe t’i kushtojnë vëmendje diagnostikimit të hershëm.
Duhani theksoi se kontrollet e rregullta dhe identifikimi në kohë i sëmundjes janë hapa të rëndësishëm për rritjen e mundësive të trajtimit dhe shpëtimin e jetëve.
Përmes këtij aktiviteti u përcollën mesazhe ndërgjegjësimi dhe solidariteti me gratë që po përballen me kancerin e gjirit, duke vënë në dukje rëndësinë e mbështetjes dhe informimit të vazhdueshëm.
Fushata “Tetori Rozë” synon të nxisë kujdesin e hershëm për shëndetin dhe të inkurajojë gratë të kryejnë kontrollet e rekomanduara nga profesionistët shëndetësorë.

