OSBE/ODIHR ka publikuar Opinionin Urgjent të Ndërmjetëm për projektligjin e ri “Për financimin e partive politike” në Shqipëri, duke kërkuar forcim të transparencës dhe mekanizmave të kontrollit për të shmangur abuzimet me financimet politike. (Shkarko dokumentin)
Dokumenti, i kërkuar në fillim të prillit nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, evidenton se projektligji aktual ka boshllëqe në fusha të rëndësishme si huatë, financimi nga palë të treta dhe mekanizmat e zbatimit. Sipas ODIHR, këto mangësi mund të krijojnë hapësira për shmangie të rregullave dhe të dobësojnë efektivitetin e sistemit të financimit politik.
Në rekomandimet kryesore, ODIHR kërkon ndalimin e donacioneve në emër të personave të tjerë, si dhe publikimin e informacionit mbi profesionin, punëdhënësin dhe pronësinë përfituese të kompanive që financojnë partitë politike.
Raporti thekson gjithashtu nevojën për rregulla më të qarta mbi huatë, mënyrën e shlyerjes së tyre dhe faljen e borxheve, me qëllim parandalimin e financimeve të fshehura.
Një tjetër rekomandim lidhet me sanksionet për shkeljet financiare. ODIHR sugjeron që gjobat për donacionet mbi kufijtë ligjorë të jenë proporcionale dhe të llogariten si shumëfish i vlerës së tejkaluar.
Në raport nënvizohet edhe roli i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke paralajmëruar se zbatimi i reformës do të varet nga kapacitetet financiare, njerëzore dhe hetimore që do t’i vihen në dispozicion institucionit.

