Kryeministri Edi Rama udhëtoi sot drejt Italisë për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Napoli.
Konsullata, që do të drejtohet nga Konsulli i Nderit Giuseppe Lettieri, do të mbulojë rajonin e Kampanjës dhe do të shërbejë si një qendër e rëndësishme për komunitetin shqiptar. Ajo synon të lehtësojë ofrimin e shërbimeve dhe të forcojë raportet ekonomike, kulturore dhe sociale midis Shqipërisë dhe Italisë.
Gjatë qëndrimit në Napoli, kryeministri Rama do të vizitojë edhe Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit “L’Orientale” si dhe Universitetin “Parthenope”. Në këtë të fundit ai do të marrë pjesë në një pritje të titulluar “Napoli, një urë miqësie, bashkëpunimi dhe zhvillimi mes Italisë dhe Shqipërisë”.
Vizita do të mbyllet me një takim ndërmjet kryeministrit Rama, ministres Kumbaro dhe rektorëve të universiteteve të Napolit, ku do të diskutojnë lidhur me mundësitë e bashkëpunimit mes universiteteve të dy vendeve në fushën e ndërkombëtarizimit.

