Elisa Spiropali duket se ka zgjedhur të bëjë vetë atë që kundërshtarët e saj politikë nuk kanë arritur. Të dëmtojë edhe më tej imazhin e saj politik. Dalja e saj në emisionin “Top Story” mbrëmjen e kaluar ishte një tjetër shfaqje e servilizmit ndaj pushtetit, ku, me zë dhe figurë, pamë një Spiropali që nuk kurseu lavdet për Edi Ramën, ndërsa në të njëjtën kohë zgjodhi të sulmonte Belinda Ballukun.
Një kontrast që ngre pikëpyetje të mëdha mbi qëndrimet dhe standardet e saj politike. Për Ramën kishte vetëm fjalë të mira, vlerësime dhe lavdërime, ndërsa për Ballukun akuza dhe sulme. Por kur vjen puna te pretendimet për presione dhe ndërhyrje, lind pyetja: pse gjithë kjo zhurmë në studio dhe jo një kallëzim pranë SPAK-ut?
Nëse Elisa Spiropali ka dijeni për shkelje apo presione të paligjshme ndaj drejtuesve të institucioneve, përse nuk i drejtohet organeve të drejtësisë me fakte dhe prova? Përse këto akuza shndërrohen në përplasje televizive dhe jo në një denoncim zyrtar?
Dhe këtu hapet një tjetër kapitull i pakëndshëm për Spiropalin: marrëdhënia mes pushtetit dhe interesave familjare. Akuzat për përfitime të mundshme nga pozicionet politike, për bizneset e bashkëshortit dhe për lidhjet me tenderat publikë kërkojnë përgjigje të qarta. A ka pasur përfitime nga pushteti? A janë përdorur lidhjet politike për të krijuar avantazhe në biznes? Këto janë çështje që meritojnë transparencë dhe verifikim nga institucionet përkatëse, jo thjesht heshtje apo shmangie.
Elisa Spiropali duhet të japë përgjigje për këto pikëpyetje, përpara se të dalë në studio televizive për të dhënë leksione morali politik dhe për të sulmuar kolegët e saj.
Madje, nëse nuk ka më besim te Partia Socialiste dhe drejtimi i saj, atëherë duhet të ketë edhe kurajën të largohet. Të japë dorëheqjen nga mandati i deputetes, të cilin e ka marrë nën siglën e PS-së, dhe të mos e përdorë më partinë si trampolinë për karrierën e saj politike.
Sepse nuk mund të kalosh vite duke përfituar nga pushteti, duke mbajtur poste të rëndësishme dhe duke qenë pjesë e vendimmarrjes, e më pas, sapo nuk të jepet më një karrige ministrore, të kthehesh kundër njerëzve që të kanë ngritur politikisht.
Kjo nuk është as parimësi dhe as qëndrim politik. Është një problem serioz besnikërie dhe përgjegjësie ndaj atyre që të kanë dhënë pushtetin.
Kufomë e politikës! Një figurë që sot duhet të japë përgjigje për kontradiktat e saj, për raportin me pushtetin dhe për akuzat që rëndojnë mbi të, në vend që të fshihet pas deklaratave televizive dhe sulmeve ndaj të tjerëve.
