“Ndihmë, më ndihmoni!”/ Momente tensioni për Belén Rodriguez, përfundon në spital pas ndërhyrjes së policisë

Showgirl-i i njohur argjentinas Belén Rodriguez ka lënë spitalin Policlinico në Milano, pasi u shtrua pas një alarmi që mobilizoi policinë, ambulancën dhe zjarrfikësit në zemër të qytetit. Sipas zyrës së shtypit të spitalit, 41-vjeçarja është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është liruar pas vlerësimeve mjekësore.

Ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e së hënës, më 25 maj, rreth orës 07:00, në një ndërtesë elegante pesëkatëshe në lagjen Brera të Milanos. Sipas mediave italiane, një fqinj ka dëgjuar britmat e një gruaje që vinin nga apartamenti i Belén Rodriguez. “Ndihmë, më ndihmoni!”, thuhet se është dëgjuar për disa minuta nga dritarja e banjës së saj, çka ka shtyrë banorët të njoftojnë menjëherë numrin e emergjencës 112.

Pas alarmit, në vendngjarje mbërritën dy patrulla policie nga komisariati Garibaldi-Venezia, një ambulancë dhe zjarrfikësit, duke krijuar edhe bllokim trafiku në rrugën e ngushtë ku ndodhet banesa. Forcat e rendit bllokuan hyrjen për automjetet dhe krijuan një korridor emergjence, ndërsa raportohet se pati një negociatë rreth tre orëshe me Rodriguez, e cila vendosi të hapte derën vetëm kur zjarrfikësit po përgatiteshin të hynin me forcë.

Burime nga vendngjarja kanë bërë me dije se showgirl-i dukej në një gjendje të rënduar fizike dhe emocionale. Pas ndërhyrjes së mjekëve, ajo u transportua drejt spitalit me kod të verdhë për kontrolle dhe vlerësim të mëtejshëm. Fatmirësisht, pas trajtimit, Belén është liruar dhe gjendja e saj është përshkruar si e stabilizuar.

Por kjo nuk është e vetmja ngjarje që ka vendosur emrin e saj në qendër të lajmeve ditët e fundit. Sipas raportimeve, dy dëshmitarë kanë deklaruar në polici se e kanë parë Belén Rodriguez duke drejtuar një SUV tip Land Rover Defender, i cili dyshohet se është përfshirë në dy aksidente të ndara gjatë mbrëmjes së së shtunës.

Aksidenti i parë raportohet të ketë ndodhur rreth orës 19:30 në Via Melzi d’Eril, pranë Arco della Pace, ku automjeti dyshohet se ka goditur pasqyrën e një makine të parkuar. Pak minuta më vonë, rreth dy kilometra më larg, në Via San Marco në zonën e Brera-s, SUV-ja thuhet se ka goditur një motoçikletë dhe tre automjete të tjera të parkuara.

Fatmirësisht, në të dyja rastet nuk raportohet për persona të lënduar. Megjithatë, sipas dëshmitarëve, drejtuesi i mjetit nuk është ndalur për të dhënë të dhënat e nevojshme dhe ka vijuar lëvizjen. Dy persona pretendohet se e kanë identifikuar Rodriguez në timon dhe kanë realizuar edhe fotografi.

Aktualisht, policia lokale po heton për të identifikuar pronarin e mjetit, i cili rezulton i lidhur me një kompani, si dhe për të verifikuar kush e drejtonte automjetin në momentin e incidenteve. Ndërkohë, emri i Belén Rodriguez vijon të jetë në qendër të vëmendjes mediatike në Itali.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe