Brazil, aksident fatal me 10 persona në bord, mes viktimave 5 fëmijë dhe dyshohet edhe një foshnjë

Një tragjedi e rëndë ka goditur Brazilin, pasi dhjetë persona, përfshirë pesë fëmijë, kanë gjetur vdekjen kur automjeti me të cilin po udhëtonin ra në një liqen. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të para të së dielës në një zonë rurale të bashkisë Barra Mansa, në shtetin Rio de Janeiro.

Një kalimtar, i cili vuri re makinën nën ujë, njoftoi menjëherë autoritetet. Ekipet e emergjencës mbërritën shpejt në vendin e ngjarjes, ndërsa zjarrfikësit dhe dy zhytës arritën të nxirrnin trupat e pajetë nga mjeti.

Qeveria e shtetit të Rio de Janeiros deklaroi se të dhjetë personat kishin ndërruar jetë në çastin kur u nxorën nga automjeti. Mes viktimave janë pesë të rritur dhe pesë fëmijë; disa media braziliane raportuan se në mesin e tyre ishte edhe një foshnjë vajzë.

Identitetet e viktimave nuk janë bërë ende të ditura. Sipas mediave braziliane G1, që citon një të afërm të viktimave, të gjithë personat në makinë ishin pjesëtarë të të njëjtës familje.

Ngjarja është vlerësuar fillimisht si aksidentale nga autoritetet, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për të sqaruar në detaje shkaqet dhe rrethanat që sollën mbytjen e automjetit në liqen.

Incidenti ndodhi një ditë pasi reshje të fuqishme shiu përfshinë rajonin e Rio de Janeiros, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë, përfshirë zona turistike si Copacabana. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse moti i keq ka luajtur rol në këtë aksident.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe