Një grup fëmijësh që stërviten pranë KF Bashkimi në Shkodër kanë bërë apel për mbështetje, pasi fusha ku zhvillojnë aktivitetin e tyre sportiv është në kushte të vështira.
Në ditët me shi, terreni kthehet në baltë, ndërsa kur moti është i thatë, pluhuri e bën edhe më të vështirë zhvillimin normal të stërvitjeve. Megjithatë, këto kushte nuk i kanë penguar të vegjlit të vazhdojnë pasionin e tyre për futbollin dhe të punojnë çdo ditë për ëndrrën për t’u bërë futbollistë.
Për përmirësimin e ambienteve ku stërviten, KF Bashkimi ka hapur një fushatë në GoFundMe, përmes së cilës synohet sigurimi i fondeve për ndërhyrjet dhe materialet e nevojshme.
Klubi kërkon mbështetjen e qytetarëve, bizneseve dhe kujtdo që mund të kontribuojë për t’u krijuar fëmijëve një ambient më të sigurt dhe më të përshtatshëm për sport.
“Çdo fëmijë meriton një vend të denjë ku të luajë, të mësojë dhe të ndjekë ëndrrën e tij”, thuhet në apelin e klubit.
Edhe një shumë e vogël, nëse bashkohet me kontributet e të tjerëve, mund të ndihmojë në ndryshimin e kushteve të kësaj fushe. Për ata që nuk kanë mundësi të dhurojnë, KF Bashkimi kërkon të paktën shpërndarjen e fushatës.
Fëmijët kërkojnë vetëm një gjë: një fushë ku të mund të luajnë e të stërviten në kushte më të mira dhe të vazhdojnë të besojnë te ëndrra e tyre.

