Një ngjarje e rëndë ka shënuar një festë familjare për Halloween në Wisconsin të Shteteve të Bashkuara, pasi një foshnjë humbi jetën duke gëlltitur një copë tullumbace me formë kafshe. Don’Vyaire Avita-Mays, i cili ishte vetëm dy ditë larg ditëlindjes së tij të parë, ndërroi jetë më 24 tetor si pasojë e këtij incidenti tragjik.
Sipas rrëfimeve të familjarëve, tullumbacja ishte shpërthyer dhe një fragment i saj, përfshirë nyjën prej lateksi, kishte ngecur në fytin e vogëlushit, duke i penguar frymëmarrjen.
Kisha Avita-Wilson, nëna e Don’Vyaire, përshkroi për NBC Chicago momentet dramatike që përjetoi kur kuptoi se fëmija po mbytej, ndërsa u përpoq me çdo mënyrë ta shpëtonte. Ajo e hoqi menjëherë fëmijën nga sedilja e makinës, i aplikoi manovrat e reanimimit kardiopulmonar dhe tentoi t’i largonte pjesën penguese nga gryka.
“E nxora menjëherë nga sedilja e makinës. I bëra CPR…”, rrëfeu nëna.
Përveç saj, edhe personi që shoqëronte familjen ndërhyri për ndihmë, por gjendja e foshnjës u përkeqësua shpejt. Vogëlushi nisi të nxihej dhe më pas pësoi arrest kardiak.
Pavarësisht mbërritjes së ndihmës së shpejtë, përpjekjet për ta shpëtuar vijuan. Stafi mjekësor përdori një tub dhe pinca për të nxjerrë copën e tullumbaces, megjithatë, nuk ia dolën ta shpëtonin jetën.
Sipas nënës, familjarët ishin përpjekur gjatë gjithë festimit që tullumbacet të qëndronin larg foshnjës, por njëra kishte rrëshqitur në duart e tij dhe i vogli kishte arritur ta kafshonte.

